Ballina Artikuj Jo në emrin tonë

Jo në emrin tonë

Hoxhë Vladimir Kera

Sikur t’i themi dëshmorit, komandantit legjendar dhe krenarisë së Shqiptarisë, Adem Jasharit:

“Ti ishe një provokator. E provokove ushtrinë serbe sepse qëndrove në shtëpinë tënde, në tokën tënde, pranë familjes tënde dhe luftove si atdhetar.”

Sikur t’u themi mijëra dëshmorëve të Kosovës:

“Ju jeni fajtorë, sepse nuk u larguat kur erdhi pushtuesi. Ju qëndruat në Kosovë.”

Sikur t’u themi mbi 1400 fëmijëve të vrarë gjatë luftës së Kosovës (1998–1999), “Ju ishit provokatorë, sepse lindët në vendin tuaj, në të drejtën që Zoti ua ka dhënë.”

Kjo do të ishte një padrejtësi dhe një përmbysje e së vërtetës, një fyerje për historinë tonë, për sakrificën tonë.

Ashtu siç mbrojtën shqiptarët shtëpitë e tyre në Kosovë, sot palestinezët – fëmijë, gra, pleq – nuk janë “provokatorë”. Ata janë banorë autoktonë, në vendin e tyre, në shtëpitë e tyre, në tokën e trashëguar brez pas brezi, të dokumentuar historikisht si Palestinë – që nga lashtësia e deri më sot.

Ne e dimë çfarë është padrejtësia.

E dimë çfarë fytyre ka krimi.

E dimë çfarë fundi kanë pushtuesit.

Prandaj, z. Kryeministër, Në emër të historisë sonë, të sakrificës sonë, të dinjitetit tonë si popull, JO_NË_EMRIN_TONË.

Hoxhë Vladimir Kera

Exit mobile version