Për fillimin e vitit të ri shkollor, janë bërë pothuajse të gjitha përgatitjet. Drejtues të shkollave tregojnë se për dy javë rresht kanë hartuar planprogramet mësimore dhe se kanë bërë grumbullimin e teksteve shkollore të përdorura për nxënësit e arsimit të mesëm të ulët. Këtë e thotë mësuesja e ciklit fillor, Bahtije Rafuna.
Në anën tjetër, mësimdhënësja e ciklit të arsimit të mesëm të ulët, Minire Berisha, tregon se kanë vështirësi në mbledhjen e librave nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, pasi shumë prej tyre janë të dëmtuara. Madje, ajo tregon se fletoret e punës të cilat janë të plotësuara tërësisht, nuk janë zëvendësuar me të reja.
Udhëheqësit e shkollës fillore në kryeqytet, “Ismail Qemali”, tregojnë se për mungesën e disa teksteve dhe të fletoreve të punës i kanë njoftuar drejtuesit e arsimit, nga të cilët presin që kjo çështje të zgjidhet gjatë vikendit.
Edhe këtë vit shkollor librat do të shpërndahen falas nga Ministria e Arsimit, por libra të rinj shkollor janë blerë vetëm për nxënësit në arsimin fillor. Nxënësit në arsimin e mesëm të ulët do t`i shfrytëzojnë librat e përdorura nga gjeneratat e kaluara. /RTK/