Ballina Autorë Opinione Jo frikë histerike nga Korona!

Jo frikë histerike nga Korona!

Shoqëria jonë karakterizohet nga besimi në Zot dhe në të shkruarën e Tij. Besimi në të shkruarën e Tij manifestohet si vetëdije e si bindje kategorike që ne nuk na gjen tjetër veç asaj që ka shkruar Zoti dhe përkthehet edhe si gatishmëri pranimi që, çka vjen prej Zotit, mirë se ardhtë!

Megjithëkëtë, edhe në shoqërinë tonë vërejmë, sado rrallë, raste me frikë histerike nga virusi Korona, gjegjësisht sëmundja COVID- 19.

Me këto raste me frikë histerike duhet të merremi gjithashtu me seriozitetin e kërkuar, që, idealisht, të shërohen ose, të paktën, të mbeten raste të izoluara. Kurrsesi nuk duhet lejuar që këto raste të përveçme me frikë histerike të kthehen në sjellje kolektive histerike, që do të përbënte gjëmë shumë më të madhe sesa vetë virusi Korona.

Zoti i Madhëruar në Librin e Tij të fundit, në Kuran, që është universal dhe për të gjitha kohërat, katërmbëdhjetë herë e përmend frazën:
“لا خوف عليهم و لا هم يحزنون”
“Nuk ka frikë për ta dhe s’janë ata që mërziten”

Nga këto katërmbëdhjetë herë, kjo frazë gjashtë herë është përmendur vetëm në suren El-Bekare.

Kuptimi i kësaj fraze është se, kur dalin para Zotit, nuk do të kenë frikë se ndëshkohen e as do të mërziten për punët e tyre në dynja. E, disa dijetarë, për këtë frazë kuranore, thonë se ka të bëjë edhe me jetën tjetër, po edhe me jetën e kësaj bote.
Nëse i kërkojmë kontekstet ku e ka përdorur Allahu këtë frazë, gjejmë se ajo thuhet për ata që besojnë, që i përmbahen udhëzimit, që falen e japin zekat, që japin sadaka, që bëjnë vepra të mira, që bien dëshmor…

Prandaj, le ta realizojmë Kuranin në jetën tonë me besim, me namaz, me zekat, me sadaka (dhurim vullnetar) dhe me mirësi të tjera…, ta arrijmë edhe frytin e këtyre punëve: që të vazhdojmë të jemi ose të bëhemi nga ata që “nuk ka frikë për ta e as janë ata që mërziten”.

Përkthimin e kësaj fraze kuranore e bëra sipas analizave gramatikore e stilistike që i ka bërë dijetari i famshëm Fadil Samirai, i cili thotë se i janë dashur një vit e gjysmë që t’i zbërthejë nga pikëpamja stilistike format gramatikore të kësaj fraze kuranore për të nxjerrë ato kuptimet e fshehura që mbart kjo frazë.

~Ilmi Rexhepi

Exit mobile version