Ballina Autorë Opinione Jetojmë nga një tragjedi në tjetrën!

Jetojmë nga një tragjedi në tjetrën!

Nga Kim Mehmeti

Kështu e ka kjo jetë: arrin një mëngjes kur në vend të buzëqeshjes së pritur me mall, të vjen lajmi rrëqethës se kurrë më nuk do i kesh pranë vetes ata që i japin kuptim jetës tënde.
Dhe askush nuk mund ta parashikojë se kur jemi nisur drejtë fatkeqësisë dhe sa pranë e kemi atë, siç nuk mundet askush ta përcaktojë sasinë e dhembjes që na takon e të cilën mund të na e sjellë një çast i vetëm, por të gjithë e dimë se e tërë dhembja e kësaj bote u takon njerëzve dhe se, ata duhet ta bartin atë.
E ky mëngjes dhe kjo ditë, shenjë të vetë kanë dhembjen e pikëllimin rrëqethës që na takon të gjithë neve që frymojmë në këto hapësira, e ku thuajse u mësuam të jetojmë nga një tragjedi në tjetrën dhe ku, na ndodh shumë shpesh, që të na bashkojë dhembja, e jo gëzimi, ku ka kush të na shprehë ngushëllime e të shpallë ditë zie, por jo edhe të na shpjegojnë sa duhet si dhe pse ndodhin përplasjet e autobusëve dhe kallja e spitaleve?!
Po pra, kështu e ka kjo jetë: ka mëngjese dhe ditë kur nuk din çka t’i thuash dhembjes që të ka pushtuar, kur duhet të flasësh me ndjesi e jo me fjalë, kur çdo gjë në ty i dorëzohet pikëllimit dhe t’i e pëshpëritë vetëm një fjali – më përqafoni në dhembjen tuaj të gjithë ju që nuk do mund t’i përqafoni kurrë më ata që sot i prisnit të ju kthehen.

Exit mobile version