Jetimi i Bajramit

Në shoqërinë myslimane, çështja e jetimit është ndër çështjet më të ndieshme shpirtërore dhe shoqërore. Edhe në Kuran dhe Hadith, jetimi na prezantohet dhe përshkruhet si një person, ku Allahu dhe i Dërguari i tij na porositin që të jemi të ndërgjegjshëm dhe të vëmendshëm ndaj tyre. Është detyrë e myslimanit që të kujdeset për të tjerët, qofshin ata skamnorë, jetimë, të sëmurë etj…

Sa herë që afrohet festa e Bajramit, e Fitrit apo e Kurbanit, myslimani i cili ka agjëruar apo ka bërë Kurban, është i vetëdijshëm se agjërimi dhe kurbani nuk arrijnë tek Allahu derisa të mos përkëdhelet koka e jetimit, derisa të mos mbushet sofra e të varfërve, derisa të mos vizitohen të sëmurët.
Sa më shumë që afrohet festa e Bajramit, aq më shumë shpeshtohen thirrjet që ditën e Bajramit të shprehet interesim, kujdes dhe ndihmë ndaj jetimit, qoftë djalë apo vajzë, qoftë jetim pa njërin prind, apo pa të dy prindët. Besimtari i cili ka arritur që të agjërojë në muajin e ramazanit, që ta ketë sofrën me ushqim të bollshëm në kohën e iftarit dhe syfyrit, ai i cili ka pasur mundësi që edhe përtej mundësive t`i gëzojë fëmijët e tij për festën e Bajramit, duke i veshur ata me veshmbathje të reja, e ka për detyrë që ditën e Bajramit t`i gjejë jetimët, ku janë e ku s`janë, në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthort, që të shtrijë dorën e ledhatimit dhe ndihmës ndaj tyre. Baba i drejt dhe i sinqertë është ai i cili atë që e mendon dhe e investon për fëmijët e tij, e bën edhe për fëmijët e tjerë, sidomos për jetimët. Jetimë ka pasur gjithmon dhe gjithmon do të ketë, dhe për aq kohë sa të jetë kjo një realitet, atëherë detyrë e besimtarëve të pasur është që të tregohen të mëshirshëm dhe dorëshlirë ndaj jetimëve. Nuk është në karakterin e besimtarit që të mos shpreh interesim ndaj jetimëve. Minimumi çka mund të nëj një besimtar është që ta ledhatojë kokën e jetimit, se e vetmja kokë që ledhatohet e që sjell shpërblime, mbarësi dhe begati, është koka e jetimit. Thirrja dhe urdhëri kuranor „Pra, mos e përul jetimin!“ Kuran, Duha 9, është thirrje e cila nuk është e kufizuar në kohë, por që në ditën e bajramit kjo thirrje duhet ta gjejë besimtarin në shtëpitë e jetimëve, e asesi nuk duhet të pritet që jetimët të bëhen lypës në festën e cila duhet t`i gjejë të gjithë të gëzuar, qoftë në veshje, qoftë në ushqim. /mesazhi.com