Nga Julia Vergin-Të rrëmbyer, të torturuar, të vrarë: në të gjithë botën dhuna kundër gazetarëve është shtuar.
Por vetëm një në dhjetë krime sqarohet. Armiqtë më të mëdhenj të gazetarëve shpesh janë shtetet ku punojnë gazetarët.
530 gazetarë të vrarë. Vetëm midis viteve 2012 dhe 2016. Këtë shifër e publikoi UNSECO në një raport paraprak për “Report World Trend in Freedom of Expression and Media Development”.
Në bazë të rrjetit “Reporterë pa kufi”, në vitin 2017 kësaj shifre iu shtuan edhe 47 gazetarë të tjerë.
Krahasuar me dekadat e mëparshme kemi një rritje të dukshme, “Jeta si gazetar po bëhet më e rrezikshme”, konfirmon Christian Mihr, drejtor ekzekutiv i “Reporterëve pa kufi”.
Dhe vetëm një ndër dhjetë krime sqarohen. Për të tërhequr vëmendjen në këtë gjendje të rëndë, në vitin 2013 OKB-ja shpalli “Ditën ndërkombëtare kundër mosdënimit të krimeve kundër gazetarëve”.
Veçanërisht të rrezikuar janë qytetarët që punojnë si gazetarë, të ashtuquajturit gazetarë qytetarë, të cilët përhapin informacione në mediet sociale si në Facebook dhe në Twitter.
Ata raportojnë nga rajone dhe vende, në të cilat nuk guxojnë të shkojnë më gazetarët klasikë.
Në një rezolutë të OKB-së të vitit 2014, pranohet për herë të parë roli dhe nevoja për mbrojtje e gazetarëve qytetarë.
Por megjithë rezolutat e shumta, të cilat duhet të garantojnë mbrojtjen e atyre që informojnë, numri i vrasjeve është i lartë.
Të drejtat e njeriut? Jo dhe kaq të rëndësishme
Shkak për këtë sipas Mihrit janë dukuritë e shpërbërjes në shumë shteteve. “Në Afganistan, në Siri ose në Somali faktikisht pushtetin e kanë organizata, të cilat nuk ndihen të lidhura me marrëveshjet e miratuara të të drejtave të njeriut”, thotë Mihr.
Por shpërbërja e shteteve nuk është problemi më i madh, thotë Mihr. Në shumë raste shtetet vetë nuk janë fare të interesuara për sqarimin e një krimi.
“Gazetarët shpesh raportojnë për gjëra, të cilat nuk u pëlqejnë anëtarëve të caktuar të qeverisë ose të administratës”.
Për të gjetur një sjellje të tillë, nuk duhet të shkosh shumë larg, mjafton të shkosh deri në Maltë. Mihr-i dyshon që ekziston një interes i ndershëm shtetëror në hetimet për vrasjen e gazetares Daphne Caruana Galizia.
Rrëmbime, arrestime dhe tortura
Jo vetëm numri i gazetarëve të vrarë është në rritje, në rritje është edhe numri i akteve të dhunshme. Arrestime arbitrare, rrëmbime dhe tortura janë vetëm disa nga krimet që numëron OKB-ja.
Kësaj i shtohet dhuna në hapësirën digjitale përmes fushatave të nxitjes dhe sulmeve ndaj faqeve të internetit të gazetarëve jo të preferuar./DW/
Shumë ndiqen hap pas hapi me anë të përgjimit digjital. Ajo që tingëllon e padëmshme, përfundon jo rrallë në dhunë reale.
“Në gjysmën e të gjitha rasteve, në të cilat Reporterët pa kufi japin ndihmë emergjente, njerëzit ndodhen në një situatë emergjente, pra janë arrestuar ose po torturohen, sepse janë përgjuar më parë në mënyrë digjitale”, thotë Mihr.
Prandaj Reporterët pa kufi kërkojnë një të ngarkuar të posaçëm të OKB-së, sipas shembullit të Të Ngarkuarit të Posaçëm për Fëmijë dhe konflikte të armatosura, të cilin e ka emëruar në vitin 1997 OKB-ja.
Ky i Ngarkuar i Posaçëm mund të bënte kërkime në mënyrë të pavarur dhe të dokumentonte rastet e dhunës ndaj gazetarëve, në mënyrë që këto raste të ndiqen penalisht, thotë Mihr.
Kjo ide ka shumë mbështetës, Bundestagu Gjerman është parlamenti i parë në botë që e ka kërkuar këtë vit të Ngarkuarin e Posaçëm./MESAZHI/