Prokurorja Carla Del Ponte ka dhënë dorëheqje duke shpërthyer në një fjalim lamtumirës në Gjenevë, duke thënë se në Siri ka krime që nuk janë ndëshkuar.
Del Ponte, prokurore për krimet e luftës, ka njoftuar që muajin e kaluar se do të jepte dorëheqjen nga posti që mbante, për shkak të mosndëshkueshmërisë së krimeve të luftës që kanë ndodhur në Siri, shkruan “The Sun Daily”. Ajo tha se do ta lërë Komisionin e Hetimeve, COI për Sirinë, panel mbështetur nga OKB-ja që ka mbledhur dëshmi për mizoritë e kryera në shtetin sirian, që prej shpërthimit të luftës civile në vitin 2011.
“Unë jap dorëheqje duke i dhënë fund zhgënjimit tim”, tha ajo në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, pasi COI ka prezantuar të dhënat e fundit.
“Shtatë vjet krime në Siri dhe ka një pandëshkueshmëri totale. Kjo është e papranueshme”, ka thënë prokurorja e njohur e krimeve të luftës.
Në raportin e fundit paraqitur në Këshillin e të Drejtave të hënën Damasku akuzohet për kryerjen e një sulmi kimik i cili ka vrarë dhjetëra njerëz në Khan Sheikhun, në muajin prill. Një trupë e re e OKB-së, quajtur Mekanizmi Ndërkombëtar i Paanshëm dhe i Pavarur kohët e fundit ka nisur punën në Gjenevë për të ndëshkuar kriminelët, në mënyrë individuale.
Del Ponte, prokurore nga Zvicra, ka punuar në gjykata ndërkombëtare, të cilat kanë zbardhur krime lufte si ajo për krimet në ish-Jugosllavi dhe në Ruanda. Ajo shtoi se kur është bashkuar me COI nuk besonte se bashkësia ndërkombëtarë do të ngrinte një gjykatë për krimet e luftës në Siri, e cila do të dështonte në mënyrë totale.