Grupi Husi në Jemen ka lëshuar dy raketa balistike, njëra prej të cilës ka rënë në qytetin Marib, ndërsa tjetra në territorin e Arabisë Saudite, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas raportimeve të Agjencisë së lajmeve të Arabisë Saudite SPA, thuhet militantët Husi kanë lëshuar ditën e djeshme dy raketa, njëra prej të cilave ka rënë në Marib, ndërsa tjetra në Taif të Arabisë Saudite. Lajmi i referohet një deklarate me shkrim të koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Arabia Saudite për ndërhyrjen në Jemen.
Raketat thuhet se janë lëshuar nga Sana, ndërkohë Arabia Saudite ka njoftuar se raketat janë shkatërruar nga sistemi mbrojtës dhe se si rrjedhojë nuk kanë shkaktuar dëme. Në deklaratë është thënë gjithashtu se edhe vendi nga ku janë lëshuar raketat është shkatërruar.
Televizioni El-Mesira i cili i përket grupit Husi njoftoi më parë se ky grupim ka lëshuar një raketë balistike drejt bazës ajrore Mbreti Fahd në Taif të Arabisë Saudite.
Nga ana tjetër forcat ajrore të koalicionit ndërkombëtar kanë njoftuar sot se kanë bombarduar Akademinë Ushtarake në Sana e cila është nën kontrollin e Husive.
Në një sulm ndaj një shtëpie ku bëheshin homazhe në Sana, të paktën 140 persona humbën jetën. Pas sulmit luftimet në Jemen u intensifikuan.