Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa pas një debati të “nxehtë” me shumicë të votave ka miratuan në lexim të parë projekt-buxhetin për vitin 2017.
Kësisoj, deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet që të enjten t’i japin dritën jeshile këtij versioni të buxhetit. Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani ka konfirmuar për “Indeksonline” se javën e ardhshme do të mbahet seanca ku edhe pritet që e njëjta të kalojë në lexim të parë.
“Pasi që të kalojë dhe të merr aprovimin nga deputetët, atëherë, menjëherë komisionit do të ulet dhe të shqyrtojë kërkesat e më pastaj të bëj amandamentimin. Më së voni do të jetë 20 dhjetor kur do të bëhet miratimin në Kuvendin e Republikës”, ka thënë ai
Më tej, deputeti i LDK-së u ka bërë ftesë gjithë deputetëve, duke përfshirë edhe ata nga opozita, që të bashkëpunojnë së bashku në shqyrtimin e kësaj çështje të rëndësishme të vendit.
“Për arsye se buxheti është i tërë qytetarëve të Kosovës dhe ata përfaqësojnë të secili pjesën e elektoratit të vet. Të bëjmë një buxhet të mirëfilltë, të ndajmë projekte të nevojshme sipas prioritetit dhe të përfitojnë qytetarët dhe institucionet nga dokumenti më i rëndësishëm që aprovohet në Kuvend, Buxheti për vitin 2017”, ka thënë ai.