Jashari e Lladrovci nga Prekazi bëjnë thirrje për unitet politik në vend

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari dhe ai i Drenasit, Ramiz Lladrovci, kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Me rastin e 22-vjetorit të “Epopesë së UÇK”-së, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari dhe ai i Drenasit, Ramiz Lladrovci kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, raporton lajmi.net.

Nga Prekazi, i pari i Skenderajt, Bekim Jashari, theksoi se duhet të jemi të bashkuar për Kosovën, ashtu siç deshën edhe dëshmorët e këtij vendi.

“Sapo bëmë nderime të dy komunat bashkërisht tashmë që dy vite të pandarë, Drenasi dhe Skenderaj, duke i nderuar me respektin më të lartë dëshmorët e vendit tonë, duke u ndjerë krenar e veprat e tyre e duke u zotuar e duke marrë forcë e kurajë që neve të jemi të bashkuar në rrugën e drejt e të pastër të vendit tonë ashtu siç deshën, Lavdi”, deklaroi Jashari.

Në anën tjetër, kreu i Drenasit, Ramiz Lladrovci, theksoi se këto dy komuna janë duke punuar që ta jetësojnë amanetin e Komandantit legjendar Adem Jashari, amanetin e familjes së tij, por edhe amanetin e të gjithë dëshmorëve të vendit.

Lladrovci, kërkoi na politikanët që të jenë të bashkuar për çështjen e Kosovës.

“I bëjmë thirrje politikaneve që të bëhen bashkë me një qëndrim, të bëhen unik. E jo t’i kemi katër qëndrime të ndryshme. Duhet të bëhemi unik e ta jetësojmë çështjen e Kosovës”, deklaroi Lladrovci.