Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Japonia vendos marrjen e dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19

Japonia vendos marrjen e dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19

Në Japoni u vendos që të aplikohet doza e tretë e vaksinës në luftën kundër koronavirusit të ri (COVID-19) dhe varianteve të tij, transmeton Anadolu Agency (AA),

Sipas lajmit të agjencisë Kyodo, e cila bazohet në burimet e Ministrisë së Shëndetësisë, thuhet se Bordi Këshillimor i COVID-19 diskutoi planin për të aplikuar dozën e tretë të vaksinës në luftën kundër varianteve të pandemisë.

Bordi diskutoi pretendimet se gjashtë muaj pas dozës së dytë, antitrupi i prodhuar kundër COVID-19 humbet dhe se vaksina humbi efektivitetin e saj kundër varianteve të ndryshme, përfshirë Delta, e cila tregoi efektin e saj edhe në Japoni.

Duke marrë parasysh thirrjet e prodhuesve të vaksinave për domosdoshmërinë e dozës së tretë, bordi në fjalë vendosi të vërë në praktikë planifikimin për marrjen e dozës së tretë.

Sipas kësaj, personat që kanë marrë dy doza të vaksinës Pfizer, Moderna ose AstraZeneca do të jenë në gjendje të marrin të njëjtën markë vaksine nëse aplikojnë.

Thuhet se detajet rreth datës së fillimit të dozës së tretë të vaksinës dhe aplikimit do të shpallen më vonë.

Japonia, me një popullsi prej 126 milionë banorë, në shkurt 2021 filloi fushatën e vaksinimit kundër COVID-19. /aa

Exit mobile version