Japonia ka regjistruar rënien më të rëndë të eksporteve të vendit brenda një dekade, pasi pandemia e koronavirusit vazhdon të ndikojë në ekonominë e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë së lajmeve Kyodo, të dhënat e qeverisë zbuluan se eksportet e Japonisë ranë 15,4 për qind në gjashtë muajt e parë të vitit 2020 krahasuar me gjashtë muajt e vitit të kaluar.
Rënia e eksporteve është rënia më e madhe nga viti në vit në më shumë se 10 vjet, duke reflektuar në eksportin e makinave dhe mallrave të tjerë industrialë.
Të dhënat treguan se eksportet ranë në 32.36 trilion jen (300 miliard dollarë) në periudhën janar-qershor 2020. Kjo është rënia më e madhe që nga gjysma e dytë e vitit 2009 kur vendi regjistroi një rënie të eksporteve prej 22,8 për qind për shkak të krizës globale financiare.
Për të luftuar ndikimin e pandemisë, qeveria e kryeministrit Shinzo Abe po mendon të rishqyrtojë ligjin ekzistues special për t’i “dhënë një autoritet më të madh qeverive lokale në të gjithë vendin”.
Duke folur në një emision televiziv, sekretari kryesor i Kabinetit të Japonisë, Yoshihide Suga, tha se “është i nevojshëm një ligj i ri”.
Ndërkohë, 168 raste të reja të koronavirusit janë raportuar në Tokio, duke e çuar numrin e përgjithshëm në kryeqytet në 9.579.
Japonia deri më tani ka raportuar gjithsej 26.084 raste me COVID-19, përfshirë 986 vdekje.
Vendi ka kryer 531.493 teste për të përcaktuar virusin.