Japoni, arrin në 56 numri i viktimave nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës

Rritet në 56 numri i personave që kanë humbur jetën në përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës në rajonin Kyushu në jugperëndim të Japonisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas transmetuesit publik, NHK, Lumi Kuma ka dalë nga shtrati pas shirave intensivë në pjesën veriore të rajonit Kyushu në jugperëndim të vendit. Përmbytjet kanë shkaktuar rrëzimin e disa urave, rrëzimin e pemëve, shembjen e rrugëve dhe përmbytjen e disa shtëpive.

Bëhet e ditur se është rritur në 56 numri i personave që kanë humbur jetën për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës në zonën Kumamoto në veri të Kyushu.

Ndërkohë më shumë se 2 mijë shtëpi në Kumamoto dhe Kagoshima nuk kanë qasje në shërbimin e rrjetit të ujit për shtëpitë.

Sipas agjencisë Kyodo, Lumi Chikugo i cili është më i madhi në Kyushu për shkak të shirave ka dalë nga shtrati në rajonin Oita.

Agjencia e menaxhimit të zjarreve dhe fatkeqësive (FDMA) ka bërë thirrje për evakuimin e 1.3 milionë njerëzve që jetojnë në Kyushu.

Ministri i Mbrojtjes, Kono Taro, theksoi se mund të rrisë numrin e 10 mijë personave të personelit që është dërguar në rajon nga Forcat Tokësore të Japonisë (GSDF).