Januzaj fajëson Van Gaalin se ia dëmtoi karrierën

Adnan Januzaj thotë se besimi që i ishte dhënë te Manchester Unitedi si një prej talenteve më të spikatur, u shua nën drejtimin e Louis van Gaalit.

Anësori shqiptar konsiderohej si një prej futbollistëve shpresëdhënës në pozitën e tij kur doli në skenën e futbollit evropian si 18 vjeçar, me disa paraqitje mbresëlënëse për Djajtë e Kuq.

Asokohe, Sir Alex Ferguson besonte se ai do të bëhej lojtar i madh, ndërsa Ryan Giggs e konsideronte atë si një version të ri të Wayne Rooneyt.

Mirëpo, katër vite më pas, futbollisti po përpiqet ta rindërtojë karrierën te Real Sociedadi, pasi dështoi t’i arrinte pritshmëritë.

Januzaj tash luan për Real Sociedadin
Tash 22 vjeçar, Januzaj thotë se kontrolli i tepruar që ushtronte Van Gaal mbi skuadrën ka ndikuar në karrierën e tij.

“Nuk e kisha lirinë e njëjtë. Një anësor ka nevojë për besimin e trajnerit, i cili i thotë: ‘Shko përpara dhe kaloi kundërshtarët’. Me të (Van Gaalin) ishte një lojë e ngadalshme me pasime”.

Lexo po ashtu:
Januzaj tregon pse zgjodhi të luajë për Belgjikën para Shqipërisë dhe Kosovës
Januzaj tregon pse zgjodhi të luajë për Belgjikën para Shqipërisë dhe Kosovës
“Për dikë ishte e vështirë. Keni mundur ta shihni se disa lojtarë nuk e shijonin futbollin. Trajneri dhe unë kemi mbajtur shumë takime të vështira”.

Pritshmëritë ishin shumë të mëdha për anësorin shqiptar
“Isha i frustruar dhe të gjithë mund ta kuptonin se unë nuk isha Adnani i njëjtë si në vitin e parë. Nganjëherë madje isha në tribuna”.

“Kur angazhohesh shumë në stërvitje dhe të lënë jashtë, është diçka që vështirë pranohet nga një i ri… Si futbollist nëse mendon shumë në fushë, nuk është gjë e mirë. Të nevojitet instinkti i lojës”.

“Kur na vinte topi, na duhej të ndaleshim dhe të mendonim: ‘Çfarë të bëj me topin tash? Nuk guxoj ta humb’”, rrëfyer Januzaj për Daily Mail.

Të gjithë parashikonin se ai do të shkëlqente për vite të tëra te Unitedi
Ai më tej ka thënë se kishte arritur në një fazë kur kishte frikë se nuk do të zgjidhej nga trajneri, në rast se do ta bënte lojën e tij normale, prandaj ishte detyruar t’i ndiqte urdhrat e Van Gaal që, sipas Januzajt, e penguan zhvillimin e mëtutjeshëm të lojtarit.