Përderisa kjo jetë është sprovë për njeriun, ai duhet të përballet me disa rrethana me të ndryshme, që kanë si qëllim të vërtetojnë vërtetësinë e deklaratës së tij, se ai beson Zotin dhe gjithashtu për ta pastruar atë nga karakteristikat imorale të padëshirueshme.
Detajet e përpikta të kësaj sprove janë pa dyshim të paracaktuara për çdo njeri. Kjo duhet të na sigurojë ne, se sprova në fjalë do të bëhet në mënyrën më të përshtatshme. Me fjalë të tjera, përderisa skema e kësaj sprove është hartuar nga më i Zgjuari, nuk mund të jetë asnjëherë e padrejtë.
Megjithatë, duke qenë i gllabëruar nga fatkeqësitë – një element thelbësor i kësaj sprove – njeriu është i prirur ta harrojë këtë realitet të padiskutueshëm, domethënë se sprova e jetës është e drejtë, pavarësisht sesa fatkeqësi na ndodhin.
Ai ka nevojë të dijë, se kjo sprovë presupozon disa fakte të pandryshueshme, që përshtaten për të kuptuar arsyen dhe pajtohen me drejtësinë absolute. Të harrosh këto fakte, do të thotë të humbasësh fuqinë dhe kurajën për të luftuar rrethanat negative.
Më poshtë vijojnë disa shënime, për të ndriçuar këto fakte, në mënyrë që të rifreskojmë dijen tonë në këtë anë dhe si rrjedhim të konsolidojmë besimin tonë, në mënyrë që të luftojmë në rrethanat e padëshirueshme.
Allahu nuk është armiku ynë
Gjëja kryesore që duhet të mbajmë në mendje është, se Allahu nuk ka armiqësi kundër nesh. Ai nuk krijon pengesa në rrugën tonë, Allahu më faltë, sepse Ai nuk mban mëri ndaj nesh dhe as nuk e përbuz ekzistencën tonë.
Ai e ka prezantuar Veten si mik i njerëzimit; dhe ashtu siç bëjnë të gjithë miqtë, Ai na paralajmëron për armikun tonë të përbetuar, shejtanin, që të mos i shkojmë pas për shkak të premtimeve të tij boshe.
Në mënyrë të ngjashme, është e qartë se Allahu nuk ndërmerr asgjë, pa ua zgjatur afatin robërve të Tij. Ai u jep kohë të gjithë mëkatarëve, që të pendohen për mëkatet e tyre. Nëse nuk do të ishte për këtë, ne do të dënoheshim sapo të bënim gabimin.
Allahu na e do të mirën. Megjithatë nuk duhet ta konsiderojmë si një mik, që ruan miqësinë pa kushte dhe vazhdon t’i mbështesë miqtë e tij edhe kur ata shkaktojnë dëme. Përkundrazi, Ai është një mik i sinqertë, që na ndihmon t’i ruajmë kufijtë moralë, Ai është gjithmonë aty dhe na udhëzon në rrugën e drejtë.
Përveç se na ka dërguar disa profetë dhe na ka dhënë librat e shenjtë, Ai ka krijuar një botë të mbushur me rehati dhe vështirësi, që të na ndihmojë të jemi të palëkundur në rrugën e Tij.
Ne duhet ta dimë gjithashtu, se Allahu nuk është ashtu si janë munduar ta përshkruajnë hebrenjtë Atë. Ata vuanin nga iluzionet, se përderisa ishin pasardhësit e profetëve të drejtë të Allahut, ata kishin të drejtë të kalonin pragun e parajsës, sado në mënyrë të pamoralshme të jetonin dhe nëse do të shkonin në ferr, do të rrinin vetëm për pak kohë.
I Plotfuqishmi e ka hedhur poshtë këtë keqkuptim dhe e ka emërtuar “El-Hād Fī El-sifāt” (të mohosh atributet thelbësore të Zotit), term ky që nënkupton, se ky është një krim i urryer, si t’i bësh shok atij.
Allah nuk na ngarkon më shumë sesa kemi mundësi
Fakti i dytë që duhet ta kemi gjithmonë parasysh është, se Allahu na ngarkon vetëm me ato përgjegjësi, të cilat mund t’i zgjidhim me lehtësi; ato nuk kanë asnjëherë aq forcë sa të na bëjnë të humbasim besimin. Zoti ka thënë në Kuran: “Ne nuk ngarkojmë asnjeri përtej mundësisë së tij”. (7:152)
Sigurisht që nëse ky parim sublim nuk do të ishte vënë re, gjithë skema e sprovës do të bëhej një akt tiranie dhe shtypjeje. Duke pasur parasysh këtë premtim për sheriatin, mund të arrijmë në përfundimin, se Allahu do ta përdorë këtë parim dhe në lidhje me sprovat e tjera të jetës.
Atributet e tij e mohojnë nocionin, se Ai na mbingarkon, që të tronditë forcën tonë dhe të shkatërrojë shpresat tona. Prandaj qëllimi i fshehtë, që gjendet pas kësaj fatkeqësie në dukje, është sprovimi ynë; i Plotfuqishmi nuk ka asnjëherë si qëllim, të na hidhërojë nëpërmjet fatkeqësive.
Fatkeqësitë nuk kanë si qëllim të na largojnë nga besimi
Sprovat nuk kanë si qëllim të na largojnë nga besimi. Kurani i shenjtë ka hedhur dritë mbi këtë parim: ai u parashtrua para myslimanëve dhe hebrenjve, në kohën kur u dha urdhri në lidhje me Kiblën, se Allahu nuk donte që besimi i tyre të shkonte kot.
“Allahu nuk është që t’ua humbë besimin tuaj. S’ka dyshim se Allahu është shumë i butë dhe mëshirues ndaj njerëzve”. (2:143)
Mirësia është e fshehur nën velin e shqetësimeve
Fakti i katërt, për të cilin duhet të jemi shumë të qartë, është se vështirësitë sjellin gjithashtu në jetën tonë dhe shumë mundësi premtuese. Ndonjëherë ne i hasim këto mundësi së bashku me vështirësitë dhe herë të tjera i hasim pas përfundimit të një periudhe të vështirë sprove.
Allahu, në bazë të urtësisë dhe zgjuarsisë së Tij gjithëpërfshirëse, e ka krijuar këtë botë në çifte. Ne e vëmë re këtë fenomen në çdo gjë, me të cilën përballemi. Pa natën, ideja e dritës së ditës nuk është vetëm e papërfytyrueshme, por edhe e pakuptimtë.
Në mënyrë të ngjashme shumë mundësi potenciale vijnë në rrugën tonë, vetëm pasi kemi kaluar shqetësime.
Për shembull, gruaja duhet të durojë dhimbjet e lindjes, para se të bekohet me fëmijën e saj të mrekullueshëm; studenti e merr diplomën, pasi ka punuar shumë për një periudhë të gjatë kohe; një thirrës për në rrugën e drejtë e arrin suksesin, pasi investon dhe bën përpjekjet e tij më të mira në misionin e tij për një kohë të gjatë.
Gjithashtu një njeri bëhet i pranueshëm për të hyrë në parajsë, pasi përballet me vështirësi dhe probleme.
Zoti thotë në Kuran: “Po ju menduat se do të hyni në xhenet, pa u provuar edhe ju me shembullin e atyre që ishin para jush, të cilët i patën goditur skamjet e vuajtjet dhe qenë tronditur, saqë i dërguari thoshte e me te edhe ata që kishin besuar: “Kur do të jetë ndihma e Allahut”?! Ja (u erdhi ndihma) vërtet ndihma e Allahut është afër”! (2:214)
Shkurtimisht, është praktikë e vendosur e të Plotfuqishmit, që Ai para se ta bekojë një njeri me një mirësi tjetër, ose para se t’i japë një aftësi të re, e sprovon me vështirësi dhe fatkeqësi. Megjithatë objektiva nënkupton, që njeriu të jetë i pranueshëm për të marrë të mirat e tij.
Allahu na ndihmon në vështirësi
Fakti i pestë, që duhet të ngulitet në zemrën dhe shpirtin tonë është, se Allahu nuk i harron njerëzit e tij, kur ata janë në probleme. Përkundrazi Ai vazhdon t’i vëzhgojë dhe i ndihmon me të gjitha mënyrat, kur ata i luten Atij.
Kur Zelihaja u mundua të joshte profetin Jusuf (a.s) me bukurinë e saj, Allahu e ndihmoi profetin e Tij. Në mënyrë të ngjashme, i Mëshirshmi i ndihmon njerëzit e Tij, kur janë në probleme.
Megjithatë kjo ndihmë vjen, nëse besimtari bën të pamundurën dhe shpenzon dhe energjinë e tij të fundit kundër rrethanave të vështira.
Kurani i shenjtë tregon emocionet e nënës së Profetit Musa (a.s), kur ajo e hodhi në lumë. Nëse nuk do ta kishte bërë këtë, Musai (a.s) do të ishte prej skllevërve të Izraelitëve dhe si rrjedhim do të dënohej me vdekje. Por Allahu e ndihmoi nënën e Tij, ta bënte këtë veprim. Ai e ngushëlloi, se ndihma e Tij kishte si qëllim të forconte zemrën e saj, që ajo të ishte prej besimtarëve.
Allahu është i mëshirshëm
Ne bëjmë shumë gabime, por Allahu na i fal. Ai na paralajmëron, se na vë në vështirësi, që të mos shkojmë në rrugë të gabuar. Ndonjëherë, Ai ua shfaq gabimet tona të tjerëve dhe me këtë ka si qëllim, që të na mësojë të rregullojmë rrugët tona.
Ky ndëshkim vazhdon, derisa personi u kushton vëmendje thirrjeve të ndërgjegjes së tij, ndihet i penduar dhe i kërkon falje Allahut, falje e cila i jepet menjëherë. Por në rast se personi nuk ndien keqardhje dhe as nuk i kërkon falje Zotit, atëherë frerët e tij në mbretërinë e së keqes lihen të lirë.
Atij i jepet dhe një periudhë tjetër për t’u penduar. Ky pendim i jep dy mundësi: ai mund të kthehet me vullnet të lirë tek Zoti i tij, ose mund të vazhdojë rrugën e keqe, që ka zgjedhur për veten e tij./ardhmeriaonline/
Për sa i përket punës së keqe që bën njeriu, Allahu ka vendosur një vijë të caktuar. Nëse personi e shkel kufirin, atij i mohohet esenca e të dëgjuarit, e të parit dhe e të arsyetuarit. Kështu atij nuk i bën më përshtypje asnjë qortim. Kjo nuk ndodh për një ditë a dy.
Allahu e vendos këtë çështje në bazë të tolerancës. Ky vendim është marrë në bazë të rrethanave të veçanta të kriminelit, të aftësive të tij, të kontributit të shoqërisë ndaj ndërtimit të karakterit të tij etj. Shkurtimisht, gjithçka që mund të bëhet sipas “drejtësisë”, duhet të merret parasysh në mënyrë të saktë.
Sprovat janë pjesë përbërëse e jetës sonë
Allahu e ka krijuar këtë botë, që ne të fitojmë parajsën duke ndjekur rrugën e së vërtetës. Për këtë arsye jeta aktuale nuk mund të jetë pa sprova. Qëllimi i vetëm pas këtyre sprovave është, që ne të shkojmë në parajsë.
Asnjë banor i kësaj bote nuk duhet të mendojë se nuk do të sprovohet, përderisa kjo është kundër qëllimit të krijimit të tij. Përpjekjet për t’iu larguar kësaj sprove mund të rezultojnë në dështim total.
A janë mirësitë/fatkeqësitë kritere për të gjykuar njerëzit?
Këto kritere kanë gjetur në njëfarë mënyre pranim të përgjithshëm ashtu si në ditët e injorancës. Mendohet se Zoti është i kënaqur me ata, që bëjnë një jetë të rehatshme dhe i pakënaqur me ata që jetojnë në varfëri.
Sipas këtij koncepti, disa kriminelë që merren me kontrabandë dhe ryshfete zgjedhin që në fasadën e pallateve të tyre të shkruhet “Është bekim mbi mua nga Zoti im”. Një perceptim i tillë është thjesht një gënjeshtër.
Varfëria dhe pasuria janë dy aspekte të sprovës që ne kalojmë. Allahu i sprovon njerëzit, duke u dhënë shumë të mira dhe disa të tjerëve duke u dhënë më pak në këtë botë. Por Allahu nuk është i pakënaqur me asnjërin prej tyre, në lidhje me pasurinë e tyre.
Ka shumë mundësi që Allahu të mos e pëlqejë një të pasur. Rehatia në këtë botë mund të jetë ajo që Allahu ka zgjedhur për të: gjithçka në këtë botë dhe asgjë në botën tjetër.
Por në rastin e një të varfri, mund të ndodhë që Allahu në këtë mënyrë dëshiron që këtij personi t’i lahen të gjitha mëkatet dhe ai të shkojë në parajsë./Mesazhi/