Është receta e dashur që bashkon të gjitha trevat shqiptare me shijen unike dhe tradicionale të saj
Pa dyshim jahnia shqiptare është ndër pjatat më të shijshme, të cilën amvisat kujdesen ta përgatisin ditëve të ftohta të vjeshtës e dimrit.
Dikur ishte pjata e parë me të cilën, nënat dhe gjyshet mirëprisnin miqtë në tryezat e shtruara plot për dreka apo darka.
Gjatë ditëve të ftohta e me shi të vjeshtës e dimrit, kjo pjatë tipike shqiptare, e trashëguar me mjeshtëri brez pas brezi sjell ngrohtësi, shije dhe shëndet në tryezat familjare.
E gatuar në zjarr të ngadaltë sipas traditës, ajo mbush gjithë kuzhinën me aromën e saj fantastike të ndezur nga gjethet e dafinës, erëza karakteristike e kësaj pjate të shijshme.
Sidomos në këto ditë të ftohta që po vijnë, jahnia është një nga recetat që sigurisht nuk duhet t’i mungojë menusë së çdo tryeze shqiptare.
E plotë në shije, tradicionale e mbi të gjitha e shëndetshme, jahnia shqiptare shoqërohet në mënyrë fantastike me bukë të ngrohtë shtëpie dhe turshi, pure patatesh, pilaf, patate dhe perime të furrës.
Jahnia E Shijshme Krejt Lehtë në Kuzhinën Tuaj
Përbërësit
1-1/2 kg tul mish viçi (i prerë në copa afërsisht 5 cm)
2 qepë mesatare të grira hollë
4 lugë supe vaj ulliri
4 gjethe dafine (të thata ose të njoma)
100 ml verë të kuqe
1 kuti salcë domatesh të grira
2 lugë supe domate pelte
1 dru kanellë (sipas dëshirës)
200 ml ujë
kripë
piper
Kujdesi në Përgatitjen e Mishit
Me ndihmën e një letre kuzhine kujdesemi që të thajmë të gjitha lëngjet e mishit.
Vendosim një tenxhere me bazament të gjerë në zjarr dhe hedhim vajin e ullirit.
E lëmë të nxehet pak dhe hedhim mishin duke e kavërdisur derisa të skuqet fortë.
Mishin e kavërdisim përreth 10 minuta derisa të skuqet mirë nga të gjitha anët.
Heqim mishin nga tenxherja dhe e ruajmë në një pjatë, ndërkohë në tenxhere hedhim qepët e grira.
I kavërdisim derisa t’iu ulet volumi dhe të marrin një ngjyrë të verdhë të artë.
Në këtë moment, mishin e hedhim sërish në tenxhere. E kavërdisim për vetëm një minutë bashkë me qepët dhe më pas masën e shuajmë me verë.
Kujdesi në Përgatitjen e Salcës
Në momentin që vera avullon, nisim përgatitjen e salcës, duke hedhur në tenxhere të gjithë përbërësit e tjerë, bashkë me ujin. (kripën dhe piperin i lëmë për më vonë)
Në momentin që masa nis të vlojë, ulim zjarrin duke lënë që gjella të gatuhet në nxehtësi të ngadaltë.
Tenxheren e mbulojmë me kapak dhe e lëmë të zjejë në zjarr të avashtë përreth dy orë, derisa mishit të jetë i butë.
Një orë pasi ka zjerë gjella, hedhim kripën dhe piperin (masa sipas dëshirës).
Kjo pjatë serviret e ngrohtë dhe për t’i shtuar edhe më shumë shijen mund t’i hidhen edhe disa pika uthull./Mesazhi/