Jahjaga përmbyll vizitën treditore në Emiratet e Bashkuara Arabe

Gjatë vizitës së saj treditore në Emiratet e Bashkuara Arabe, ish-Presidentja e Kosovës, AtifeteJahjaga u prit nga kryetarja e Këshillit Kombëtar Federativ Amalal-Qubaisi.

Me al-Qubaisi ajo bisedoi për thellimin e bashkëpunimit mes Parlamentit të Kosovës dhe Këshillit Kombëtar Federativ të Emirateve, veçanërisht në mes të grave që janë pjesë e këtyre institucioneve nga të dyja vendet.

Ajo shfrytëzoi këtë takim ta falënderojë al-Qubasi për ndihmën që Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë dhënë Kosovës, ndërsa ajo shprehu gatishmëri për bashkëpunime të mëtejshme ekonomike dhe për investime në Kosovë.

Jahjaga po ashtu u takua me Dr. MaithaAlShamsi, ministre e Shtetit në Qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe.

AlShamsi kishte vizituar Kosovën më 21 Mars të vitit 2016, ku së bashku me Jahjagën vunë gurthemelin e Spitalit Pediatrik-Kirurgjik, në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Ajo, gjatë takimit që zhvilluan në Emirate, u interesua për procesin e punës që po zhvillohet në ndërtimin e këtij spitali.

Ish-Presidentja Jahjaga, gjithashtu u prit në Hedayah, Qendra Ndërkombëtare për Ekselencë në Luftimin e Ekstremizmit të Dhunshëm. Në këtë takim u diskutua për strategjitë ndërkombëtare, dialogun ndër-fetar, çështje që ndërlidhen me kërcënimin që paraqet terrorizmi, ri-integrimin e personave e kthyer si dhe rolin që luajnë familjet dhe gratë në ndalimin e kësaj dukurie.

Në Hedayah, Dr. AliRashidAlNuaimi, kryetar i Organizatës, nënvizoi rëndësinë e vizitës së Jahjagës, duke shprehur interesim në bashkëpunim potencial mes organizatës që ai drejton dhe institucioneve të Kosovës.