Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Jack Smith jep dorëheqje pas përfundimit të hetimeve ndaj Trump

Jack Smith jep dorëheqje pas përfundimit të hetimeve ndaj Trump

Jack Smith

Prokurori i posaçëm Jack Smith, i cili drejtoi hetimet federale ndaj Donald Trump për përpjekjen për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020 dhe keqpërdorimin e dokumenteve të klasifikuara, ka dhënë dorëheqjen. Lajmi u raportua nga “CNN”.

Në një paraqitje në gjykatë, Smith konfirmoi se ka dorëzuar raportin përfundimtar më 7 janar dhe është larguar nga Departamenti i Drejtësisë më 10 janar. Ai gjithashtu kërkoi që një urdhër për bllokimin e publikimit të raportit të hiqet.

Smith kishte ngritur dy nga katër çështjet penale kundër Trump pas largimit të tij nga presidenca. Por, pas rizgjedhjes së Trump më 5 nëntor, Smith hoqi dorë nga çështjet, duke respektuar një rregull të Departamentit të Drejtësisë që ndalon ndjekjen penale të presidentëve në detyrë.

Raporti i tij përfundimtar, me dy vëllime, iu dorëzua prokurorit të përgjithshëm. Ai mbrojti meritat e çështjeve të ngritura, duke theksuar se kthimi i Trump në presidencë i bënte ato të papërballueshme ligjërisht.

Trump, i cili ka kritikuar ashpër Smithin, përballej me ndjekje penale që nga viti 2023, duke përfshirë akuza në New York për një pagesë të fshehtë gjatë fushatës së 2016-ës, akuza federale për mbajtje të materialeve të klasifikuara dhe për përpjekjen për të përmbysur zgjedhjet e 2020-ës, si dhe akuza në Georgia për ndërhyrje zgjedhore.

Smith u emërua prokuror i posaçëm në nëntor 2022, pas kthimit nga Haga, ku kishte qenë kryeprokuror në Gjykatën Speciale. Ai ka një karrierë të gjatë në drejtësi, përfshirë drejtimin e Seksionit të Integritetit Publik dhe shërbimin si prokuror federal në New York.

Exit mobile version