Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ja si e quan Netanjahu BE-në pas dyerve të mbyllura

Ja si e quan Netanjahu BE-në pas dyerve të mbyllura

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kritikuar ashpër qasjen e Bashkimit Europian ndaj vendit të tij, duke e cilësuar atë si “të çmendur”.

Komentet e tij, të bëra gjatë një takimi me dyer të mbyllura me kryeministrat e Europës lindore në Budapest, përfunduan gabimisht në duart e gazetarëve.

Netanyahu tha se, BE është e vetmja fuqi e madhe që i vendos kushte Izraelit për të patur marrëdhënie politike me të, duke nënvizuar se një gjë e tillë dëmton interesat ekonomike dhe ato në fushën e sigurisë të vetë Unionit.

“Bashkimi Europian është i vetmi grupim vendesh në botë që i kushtëzon marrëdhëniet me Izraelin me kushte politike. I vetmi!”, tha Netanyahu.

Ai i referohej këtu insistimit të BE që kushtet për bisedimet e paqes Izrael-Palestinë të përfshihen në Marrëveshjen e Asociimit me Izraelin, e nënshkruar në vitin 2000, por e papërditësuar më vonë.

“Kjo është çmenduri. Është komplet çmenduri dhe nuk dëmton interesat e mia, por ato të Europës. Ne kemi marrëdhënie të mira me Kinën dhe atyre nuk u bëhet vonë për çështjet politike”, tha Netanyahu.

Këtë qëndrim kryeministri izraelit e shprehu në bisedimet me homologët e Hungarisë, Republikës Çeke, Polonisë dhe Sllovakisë. BE ka dënuar vazhdimisht ndërtimin e kolonive izraelite në Bregun Perëndimor.

 

Exit mobile version