Më 25 shtator, kurdët irakianë, 5.5 milionë njerëz, do të duhej të shpallnin pavarësinë e tyre përmes një referendumi. Parlamenti i tyre e konfirmoi këtë gjë më 15 shtator, por më 18 shtator, Gjykata e Lartë Federale e Irakut urdhëroi pezullimin e referendumit për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e tij.
Lindja e Mesme dhe pjesa tjetër e botës janë absolutisht kundër këtij votimi. Irani, Siria dhe sidomos Turqia, por natyrisht Iraku, shumëfishuan paralajmërimet, sepse secili prej këtyre vendeve, ku jetojnë pakica kurde, nuk duan të humbin një pjesë të territorit të vet, përmes shkëputjeve që mund të kthehet në një ortek.
Nëse Kurdistani i Irakut i bërë gjithnjë e më i pavarur pas luftës së parë në Irak në vitin 1991, do të shpallte pavarësinë e tij, ai do të nxiste ambiciet e kurdëve siriane, të cilët Damasku nuk i kontrollon më. Nëse kurdët sirianë zgjedhin pavarësinë, duke krijuar shtetin e tyre përgjatë kufirit turk, kurdët turq do të rifillonin të ëndërronin për shkëputjen, dhe kurdët irakianë nuk do të rrinin gjatë duke vështruar, përpara kësaj rilindjeje kombëtare, të cilën të gjithë kurdët e aspirojnë prej një kohe të gjatë.
Çështja kurde nuk ka pushuar kurrë së “persekutuari” Lindjen e Mesme, që kur fituesit e Luftës së Parë Botërore, ua refuzuan kurdëve shtetin-komb që u kishin premtuar. Problemi ka shqetësuar prej një kohe të gjatë Irakun dhe veçanërisht Turqinë, të cilën kurdët e kanë shtyrë drejt luftës civile duke marrë armët. Përtej konflikteve të tyre, pra, ekziston një lloj bashkimi i shenjtë mes shteteve të Lindjes së Mesme kundër irredentizmit kurd, të cilit i kundërvihen edhe fuqitë e mëdha, me në krye SHBA.
Lidhja e shenjtë e Lindjes së Mesme
Evropianët dhe amerikanët duan të përqendrohen në ofensivën e tyre kundër ISIS-it dhe vazhdojnë të mbështeten tek luftëtarët kurdë. Gjëja e fundit që ata duan është të përballen me një konflikt të hapur midis turqve dhe kurdëve. Rusët duan të konsolidojnë regjimin e Damaskut dhe nuk duan ta mbrojnë atë, nga kërcënimi i ndarjes kurde. Të dobishëm dhe të duartrokitur kur luftojnë në fushëbetejë kundër militantëve, kurdët brengosin pjesën tjetër të botës kur mendojnë për veten e tyre, aq më shumë që, kanë mësuar nga historia, të mos i besojnë më askujt dhe të mos jenë të gatshëm për bisedime tryezash.
OKB u ka premtuar kurdëve irakianë që t’i ndihmojnë të fitojnë një pavarësi edhe më të madhe nga Bagdadi, nëse heqin dorë nga referendumi, por përgjigja ishte një “jo” e fortë. Kurdët duan të shpallin pavarësinë dhe pastaj të negociojnë në një pozicion force. Kjo histori është po aq serioze, sa edhe kriza katalanase dhe ajo e Koresë së Veriut.France Inter – Bota.al