Ja emrat e të arrestuarve sot për sulmin në Kuvend

Janë mësuar emrat e gjashtë të arrestuarve të aksionit të sotshëm të Policisë së Kosovës.

Avokati Tomë Gashi ka bërë publik emrat e gjashtë të arrestuarve për sulmin e 4 gushtit ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi janë gjashtë të arrestuarit të cilët avokati Gashi i konfirmoi për KALLXO.com.

Arrestimi i tyre është bërë sot në mëngjes në një aksion të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës pas një hetimi intensiv lidhur me sulmin në Kuvendin e Republikës së Kosovës të kryer më 4 gusht 2016.

Me anë të një komunikate, Policia e Kosovës thotë se ky hetim kompleks është trajtuar me teknika dhe masa të specializuara të hetimit dhe sot me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë është kryer kontrolli i 6 (gjashtë) lokacioneve në Prishtinë, ku janë arrestuar gjashtë të pandehur dhe janë shoqëruar dy persona tjerë.

Gjatë zbatimit të urdhër-kontrollit, në cilësinë e provave materiale, janë sekuestruar: gjashtë armë zjarri, tre pushkë automatike, 2 revole, një karabinë, municion, si dhe dëshmi tjera materiale që ndërlidhen me rastin. Sendet e sekuestruara do të ekzaminohen nga ekspertët e fushave përkatëse, thuhet në komunikatën e policisë.