BE-ja më e gatshme për anëtarësime të reja nga Ballkani

Bashkimi Evropian është gjithnjë e më i gatshëm të shqyrtojë anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian, që do të ndihmonte në garantimin e paqes në rajon, duke pasuruar në të njëjtën kohë edhe vetë BE-në, deklaroi sot Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn.

“Ekziston më shumë gatishmëri se një vit më parë në gjirin e vendeve anëtare (BE) për trajtimin e çështjes së zgjerimit,” u shpreh Johannes Hahn në një intervistë të botuar të martën në të përditshmen austriake “Wiener Zeitung”.

Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia janë zyrtarisht  vende kandidate për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova dhe Bosnja po kërkojnë të sigurojnë të njëjtin status. BE-ja e vlerëson rajonin si të rëndësishëm lidhur me çështje si kontrolli i imigrimit, përballimi i kërcënimeve ndaj sigurisë, që variojnë nga ndikimi rus dhe deri tek islamizmi radikal.

”Vendet anëtare kanë kuptuar se paqja mund të arrihet në Ballkan dhe se perspektiva e anëtarësimit në BE është jetike për të”, deklaroi Hahn.

”Ballkani Perëndimor dhe 20 milionë banorët e tij, që janë të etur për zhvillimin e mirëqenies së tyre, janë një treg tepër tërheqës për bllokun evropian”, theksoi Hahn, duke shtuar se një shtet i ri anëtar nuk do të ishte barrë, por vlerë e shtuar.

Komisioneri theksoi se ai nuk mbështeste idenë e një Evrope me shpejtësi të ndryshme integrimi, pasi kjo do të çonte në përçarjen e vendeve anëtare.

“Përkundrazi, duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për t’u mundësuar shteteve më të dobëta të fuqizohen si Bashkimi Evropian,” tha Hahn./ATA/