Izraelitët që uzurpuan tokat palestineze, u kanë vënë flakën dy shtëpive, një dyqanit dhe tre automjeteve të palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, izraelitët që uzurpuan tokat palestineze, bastisën qytezën Beit Furik, në lindje të Nablusit të pushtuar.
Izraelitët i vunë flakën një shtëpie në ndërtim, një dyqani dhe një automjeti që i përkiste palestinezëve. Gjithashtu njoftohet se izraelitët dogjën një shtëpi dhe dy automjete në vendbanimin Huwwara pranë Nablusit.
Burime vendase thanë se zjarrfikësit kanë shuar flakët në pika të ndryshme. Mbi 450 mijë izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe afërsisht 230 mijë izraelitë në Kudsin Lindor po uzurpojnë tokat palestineze.
Sipas ligjit ndërkombëtar, këto uzurpime në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor konsiderohen të paligjshme.
Izraelitët, të cilët uzurpuan tokat palestineze, sulmojnë shpesh fshatrat dhe qytetet në Bregun Perëndimor dhe e bëjnë jetën edhe më të vështirë për palestinezët që jetojnë nën okupim.
Që nga 7 tetori 2023, janë vrarë mbi 800 palestinezë, përfshirë 167 fëmijë, në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe izraelitëve që uzurpuan tokat palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor.