Izraeli zyrtarisht nënshkruan marrëveshje normalizimi me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin

Izraeli zyrtarisht ka nënshkruar marrëveshjen historike për të normalizuar lidhjet diplomatike me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë të kryesuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, raporton Anadolu Agency (AA).

Para nënshkrimit të të ashtuquajturës “Marrëveshjet Abraham”, Trump tha se marrëveshjet do t’i japin fund “dekadave të ndarjes dhe konfliktit” në rajon, si dhe do të shoqërojnë “agimin e një Lindje të Mesme të re”.

“Falë guximit të udhëheqësve të këtyre tre vendeve, ne marrim një hap të madh drejt një të ardhmje në të cilën njerëzit e të gjitha besimeve dhe prejardhjeve jetojnë së bashku në paqe dhe prosperitet”, tha Trump, duke u adresuar para qindra mysafirëve të mbledhur për ngjarjen në Shtëpinë e Bardhë.

Duke u kthyer nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kryediplomati i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed al-Nahyan dhe kryediplomati i Bahreinit, Abdullatif bin Rashid Alzayani, presidenti Trump deklaroi se këto marrëveshje së bashku do të shërbejnë si “themel për një paqe gjithëpërfshirëse në të gjithë rajonin”. 

Para ceremonisë, Trump tha se pesë kombe janë “shumë larg rrugës” për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin. Ai nuk dha detaje se kush, por Netanyahu tha se Trump po “rreshton gjithnjë e më shumë vende”.

“Disa vite më parë kjo ishte e paimagjinueshme, por me vendosmëri dhe një vështrim të ri mënyra e paqes bëhet, kjo po arrihet”, tha kryeministri izraelit para turmës.

Të premten e kaluar, Bahreini u bë vendi i katërt arab që vendosi marrëdhënie diplomatike me Izraelin, pas Egjiptit në vitin 1979, Jordanisë në vitin 1994 dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në muajin gusht të këtij viti. 

Jashtë Shtëpisë së Bardhë, aktivistët pro-palestinezë mbajtën demonstrata kundër marrëveshjeve. Marrëveshjet e normalizimit janë kundërshtuar gjerësisht nga palestinezët, të cilët thonë se marrëveshjet e tilla nuk i shërbejnë çështjes palestineze dhe njëkohësisht injorojnë të drejtat e tyre.

Autoriteti Palestinez tha se çdo marrëveshje me Izraelin duhet të bazohet në Nismën Arabe të vitit 2002 mbi parimin e “tokës për paqe” dhe jo “paqes për paqe” siç e shfrytëzon Izraeli.