Izraeli ka vendosur ndalesë për dalje jashtë vendit për Shejh Raed Salah, liderin e Lëvizjes Islame të Palestinës 1948 i cili pritet të lirohet ditën e nesërme, raporton Anadolu Agency (AA).
Omer Hamayisi, avokati i Shejh Salah, në deklaratë për AA-në tha se “Na është përcjellë vendimi i nënshkruar nga ministri i Brendshëm izraelit Aryeh Deri, që ndalon daljen jashtë vendit të Shejh Salah pas lirimit të tij”.
Duke theksuar se kjo gjë nuk është diç e re për ta dhe se që nga viti 2015 janë marrë vendime të ngjashme, Hamayisi u shpreh se “Ky vendim tregon se Shejh Salah nesër do të lirohet”.
Ndryshe, të enjten e kaluar policia izraelite njoftoi se kanë hapur hetim të ri ndaj Salah dhe e kanë dërguar në prokurori nën akuzat për “anëtarësim në platforma dhe shoqata të jashtëligjshme” dhe “dhënie deklaratash që nxisin dhunë”.
Ndërkaq, avokati Hamayisi pas këtij zhvillimi kishte deklaruar se “Nëse prokuroria pranon dosjen penale, atëherë nuk do të ndodh lirimi i Shejh Salah, për të cilin është thënë se do të lirohet më 17 janar.”
Sipas vendimit të shpallur nga administrata e burgjeve të Izraelit, pritet që Shejh Salah të lirohet më 17 janar.