Ushtria izraelite vazhdon të zhvendosë me forcë palestinezët me “urdhrin e ri të evakuimit” të lëshuar për pjesën qendrore të Rripit të Gazës, ku ka kryer sulme të dhunshme prej 14 muajsh, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, në një postim në llogarinë e tij në rrjetet sociale u kërkoi palestinezëve që jetonin në disa pjesë të kampit të refugjatëve “Burayj” në pjesën qendrore të Gazës të largoheshin nga zona ku janë strehuar.
Adraee pretendon se kishte një sulm ndaj Izraelit nga rajonet në fjalë dhe la të kuptohej se këto rajone do të goditeshin. Përveç kësaj, Adraee u bëri thirrje palestinezëve në rajon të shkojnë në “zonën e sigurt” të caktuar nga ushtria izraelite.
Ushtria izraelite lëshon shpesh “urdhra evakuimi” për shumë rajone, veçanërisht në veri të Rripit të Gazës dhe zhvendos me forcë palestinezët në rajon. Thuhet se Izraeli po përpiqet të zbatojë të ashtuquajturin “Plani i Gjeneralëve” me urdhrat e evakuimit që ka lëshuar posaçërisht për veriun.
“Plani i Gjeneralëve”, parashikon deportimin e palestinezëve nga veriu i Rripit të Gazës, më pas rrethimin e zonës dhe parandalimin e hyrjes së ushqimit, karburantit dhe ujit të pastër.
Në këtë rast, rezistentët e armatosur detyrohen të zgjedhin midis “vdekjes ose dorëzimit” dhe palestinezët që nuk largohen ose nuk mund të largohen nga rajoni “trajtohen si elementë armik”.