Iz’raeli vazhdon përpjekjet për të pushtuar qytetin jugor të Libanit

Ushtria izraelite vazhdon përpjekjet e saj për të marrë kontrollin e qytetit Khiam, i vendosur në rrethin Marjayoun të Libanit jugor, transmeton Anadolu.

Agjencia zyrtare libaneze e lajmeve tha se sulmet izraelite në qytetin kufitar kanë vazhduan që nga mbrëmë, me ushtrinë izraelite që po përdor lloje të ndryshme armatimi në përpjekje për të marrë kontrollin e zonës.

Forcat izraelite gjithashtu kanë lëshuar predha fosfori në zonën e afërt të Jalahiya.

Raporti i agjencisë së lajmeve thotë se operacionet e ushtrisë izraelite në Khiam nuk janë të kufizuara në inkursione tokësore, por gjithashtu përfshijnë vendosjen e eksplozivëve në ndërtesa të caktuara dhe shkatërrimin e tyre.

Khiam, i vendosur rreth 5 kilometra nga Linja e Kaltër që ndan Libanin nga Izraeli, është një nga tre qytetet kyçe në Libanin jugor që Izraeli është përpjekur të pushtojë gjatë dhjetë ditëve të fundit për shkak të rëndësisë së tij strategjike.

Sipas burimeve ushtarake libaneze, Izraeli po fokusohet në tre akse kryesore në fushatën tokësore në vazhdim në Libanin jugor, respektivisht në Khiam, Bint Jbeil dhe Shamaa.

Izraeli është përfshirë në një luftë ndërkufitare me Libanin dhe në muajin shtator nisi një fushatë ajrore kundër atyre që pretendon se janë objektiva të Hezbollahut.

Sipas autoriteteve shëndetësore libaneze, të paktën 3.600 njerëz janë vrarë nga sulmet izraelite në Liban, me më shumë se 15.300 të plagosur dhe mbi 1 milion të zhvendosur që nga tetori i vitit të kaluar.

Tel Avivi e zgjeroi konfliktin duke nisur një sulm tokësor në Libanin jugor më 1 tetor.