Iz’raeli vazhdon me shkeljen e marrëveshjes së ar’mëpushimit me Libanin

Ushtria izraelite sot për shtatë herë shkeli marrëveshjen e armëpushimit me Libanin, duke përfshirë hapjen e zjarrit ndaj qyteteve në Libanin jugor, transmeton Anadolu.

Shkeljet, sipas agjencisë shtetërore libaneze të lajmeve NNA, ishin të përqendruara në rrethin Marjayoun të provincës Nabatieh.

Një tank izraelit qëlloi ndaj një shtëpie në zonën Tel Nahas në periferi të qytetit Burj Al-Moulouk kur pronari i shtëpisë hyri në banesën e tij. Ai, megjithatë, i mbijetoi për mrekulli sulmit, vuri në dukje NNA.

Ushtria izraelite gjuajti gjithashtu predha artilerie në periferi të qytezave Markaba dhe Talloussa, ndërsa katër tanke izraelite hynë në pjesët perëndimore të qytetit Khiyam.

Përpos kësaj, ushtria izraelite shkatërroi tokat bujqësore dhe shkuli pemët e ullirit në lagjen Abbara të qytetit Kfarkela.

Të mërkurën dhe të enjten, të paktën 18 shkelje izraelite u dokumentuan në Libanin jugor, duke përfshirë dy të plagosur nga sulmet.

Armëpushimi hyri në fuqi në orët e para të së mërkurës, duke i dhënë fund luftimeve 14 mujore midis ushtrisë izraelite dhe grupit Hezbollah.

Sipas kushteve të armëpushimit, Izraeli në disa faza do të tërheqë forcat e tij në jug të Linjës së Kaltër, që është kufiri “de facto” midis dy vendeve, ndërsa ushtria libaneze do të vendosë forcat e saj në Libanin jugor brenda 60 ditëve.

Zbatimi i marrëveshjes do të mbikëqyret nga SHBA dhe Franca, por detajet mbi mekanizmat e zbatimit mbeten të paqarta.

Sipas autoriteteve libaneze, më shumë se 3.960 njerëz janë vrarë dhe mbi 16.500 janë plagosur në sulmet izraelite në Liban, ndërsa mbi një milion janë zhvendosur që nga tetori i vitit të kaluar.