Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do të rivlerësojë marrëdhëniet e tij me Kombet e Bashkuara. Komentet e tij vijnë pasi Këshilli i Sigurimit adoptoi një rezolutë, që kërkon t’i jepet fund ndërtimit të kolonive izraelite në tokën e pushtuar.
Rezoluta u miratua pasi Shtetet e Bashkuara abstenuan dhe nuk përdorën veton për të mbrojtur Izraelin, duke shkelur kështu një traditë të gjatë amerikane. Pas votimit, kryeministri Netanyahu tha se Izraeli nuk do t’i bindet votës së Këshillit të Sigurimit, që u përshëndet nga udhëheqësit palestinezë.
“Udhëzova Ministrinë e Jashtme që të plotësojë brenda një muaji rivlerësimin e të gjitha kontakteve tona me Kombet e Bashkuara, përfshirë financimin izraelit të institucioneve të OKB-së dhe praninë e përfaqësuesve të OKB-së në Izrael”, tha Benjamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit.
Kreu i ekzekutivit izraelit e cilësoi vendimin e Këshillit të Sigurimit si të njëanshëm dhe të turpshëm, duke shtuar ai do të anulohet, pavarësisht se do të duhet kohë. Sipas rezolutës, Izraeli duhet të ndalë ndërtimet në të gjitha territoret e pushtuara, përfshirë Jeruzalemin Lindor, pasi ato shkelin ligjin ndërkombëtar.
Sipas analistëve, më shumë se miratimi i rezolutës, bujë bëri abstenimi i SHBA-ve, të cilin disa politikanë izraelitë e kanë cilësuar si një tradhti nga Barack Obama dhe John Kerry. Dihej prej kohësh se raportet mes Netanyahut dhe presidentit Obama nuk ishin të mira, por mesa duket, në fund të mandatit të tij, kreu i Shtëpisë së Bardhë i ka dhënë atyre goditjen e fundit.