Izraeli tha sot se tërheqja e forcave të tij nga Libani jugor mund të zgjasë më shumë se periudha 60-ditore e paraparë në marrëveshjen e armëpushimit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Zyra e Kryeministrit izraelit tha se “procesi i tërheqjes së ushtrisë është i kushtëzuar me dislokimin e ushtrisë libaneze në Libanin jugor dhe zbatimin e plotë dhe efektiv të marrëveshjes, ndërsa Hezbollahu tërhiqet përtej Litanit”.
Netanyahu ka thënë se meqenëse Libani “ende nuk i ka zbatuar plotësisht” detyrimet e tij sipas armëpushimit, “procesi i tërheqjes me faza do të vazhdojë, në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara”.
Netanyahu ka deklaruar se kushtet e marrëveshjes ishin formuluar “me mirëkuptimin se procesi i tërheqjes mund të vazhdojë përtej 60 ditësh”.
Më herët gjatë ditës, ushtria izraelite hyri në qytetet jugore të Aitaroun dhe Qantara, ku shkatërroi pronat dhe dëmtoi një xhami lokale, sipas Agjencisë Kombëtare Libaneze të Lajmeve.
Të paktën 11 shkelje të fundit izraelite të marrëveshjes së armëpushimit të 27 nëntorit 2024 e kanë çuar numrin e përgjithshëm të shkeljeve në 633 që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit, ushtria izraelite duhet të përfundojë tërheqjen e saj nga Libani jugor brenda kornizës kohore 60-ditore, e cila përfundon të dielën.