Izraeli sulmon sirianët që protestuan pushtimin e fshatrave në Dera

Ushtarët izraelitë hapën zjarr me fishekë mbi sirianët që po protestonin në provincën jugperëndimore të Deraës, disa orë pas ofensivës ushtarake të Izraelit dhe pushtimit të dy fshatrave të premten, duke plagosur një person.

Më herët të premten, forcat izraelite pushtuan dy fshatra, Jamlah dhe Maaraba, në Rajonin e Yarmouk në provincën e Deraës, ndërsa pushtimi i territoreve siriane vazhdon të zgjerohet pas rënies së regjimit të Partisë Baath.

Që nga rënia e regjimit më 8 dhjetor, forcat izraelite kanë intensifikuar ofensivat e tyre ushtarake në Siri, duke shkatërruar infrastrukturën ushtarake të mbetur dhe duke avancuar në zona që ishin demilitarizuar më parë.

Banorët e Deraës protestuan kundër pushtimit, duke thirrur “Izrael largohu”, ndërsa valëvitnin flamujt e rinj të Sirisë. Forcat izraelite thuhet se hapën zjarr mbi protestuesit nga pozita të larta, duke plagosur një person.

Veprimet e fundit të Izraelit përfshijnë zgjerimin e kontrollit në Lartësitë e Golanit të pushtuara dhe avancimin deri në 25 kilometra nga kryeqyteti Damask. Këto përpjekje vijnë pas intensifikimit të konflikteve rajonale në fund të nëntorit.

Izraeli gjithashtu shpalli shpërbërjen e marrëveshjes së vitit 1974 për shkëputjen nga Siria dhe dërgoi forcat e tij brenda zonës demilitarizuese në Lartësitë e Golanit – një territor që Izraeli ka pushtuar që nga viti 1967. Ky veprim është dënuar gjerësisht nga Kombet e Bashkuara dhe disa shtete arabe.

Sipas Forcës së Vëzhguesve të Shkëputjes së KB-së (UNDOF), zona tampon “përshkon 75 kilometra gjatësi dhe ka një gjerësi nga rreth 10 kilometra në qendër deri në 200 metra në jug të saj.”

Bashar al-Assad, lideri i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi pasi grupet anti-regjim morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke përfunduar regjimin e Partisë Baath, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 1963.