Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Izraeli shtyn miratimin e marrëveshjes, Hamasi njofton se i qëndron armëpushimit

Izraeli shtyn miratimin e marrëveshjes, Hamasi njofton se i qëndron armëpushimit

Izraeli ka shtyrë mbledhjen e kabinetit për miratimin e marrëveshjes së armëpushimit duke akuzuar Hamasin për ndryshimin e disa dispozitave të marrëveshjes, ndërsa Hamasi njoftoi se i qëndron marrëveshjes, transmeton Anadolu.

Zyra e Kryeministrit izraelit akuzoi Hamasin për ndryshimin e draftit të marrëveshjes së armëpushimit të Gazës duke pretenduar se kishte shkelur disa nga dispozitat e saj dhe njoftoi se “kabineti izraelit nuk do të mblidhet derisa Hamasi të njoftojë ndërmjetësuesit se i pranon të gjitha dispozitat e marrëveshjes”.

Në anën tjetër, anëtari i Byrosë Politike të Hamasit, Izzat al-Risheq, deklaroi se i qëndrojnë marrëveshjes.

Në një deklaratë me shkrim në llogarinë e Hamasit në mediat sociale, Risheq tha se “Hamasi është i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit të shpallur nga ndërmjetësit”.

Katari, i cili ndërmjetësoi marrëveshjen e armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve mes Hamasit dhe Izraelit në Gaza, mbrëmë njoftoi se palët kishin arritur një marrëveshje për një armëpushim dhe shkëmbim të ndërsjellë të pengjeve që do të fillonte më 19 janar.

Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, i cili do të marrë detyrën në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, njoftoi gjithashtu se palët kishin arritur një marrëveshje. Vëzhguesit ndërkombëtarë vlerësuan se Izraeli u pajtua me marrëveshjen me presionin e ardhur nga Trump.

Exit mobile version