Autoritetet e Izraelit kanë shkatërruar të martën disa varre në kompleksin historik Bab al-Rahmeh në Jerusalemin Lindor që gjenden afër xhamisë Al-Aksa, raporton Anadolu Agency (AA).
“Pjesëtarët e të ashtuquajturit ‘Autoriteti i Izraelit për Natyrë’ të mbështetur nga forca të shumta policore dhe ushtarake u futën me forcë në kompleksin e varrezave ku shkatërruan tetë varre”, deklaroi për AA, Mustafa Abu Zahra, në cilësi të kreut të Komitetit për Prezervim të Varrezave Muslimane në Jerusalem.
“Izraeli dëshiron të shndërrojë varrezat në park kombëtar për hebrenjtë e Izraelit”, tha më tej ai.
Bab al-Rahmeh është një kompleks varrezash muslimane që daton 1400 vite më parë dhe konsiderohet si njëri nga lokalitetet më të rëndësishme islame në Jerusalemin Lindor.
Shkelja izraelite ndaj muslimanëve është denoncuar edhe nga drejtori palestinez i xhamisë Al-Aksa, Sheikh Omar al-Qiswani.
“Izraeli pretendon se varrezat gjenden në tokën që është pronë e Autoritetit të Izraelit për Natyrë”, tha al-Qiswani për AA, për të shtuar se Izraeli nuk posedon ndonjë argument historik ose ligjor për të pretenduar pronesinë e varrezave.
Izraeli pushtoi Jerusalemin lindor gjatë luftës së vitit 1967 në Lindjen e Mesme.
Në vitin 1980 formalisht e aneksoi qytetin duke pretenduar se është kryeqytet i saj, një vepër kjo që nuk njihet nga komuniteti ndërkombëtar.