Izraeli shkatërroi ndërtesën 14-katëshe Al-Shorouk, në të cilën gjendeshin apartamente dhe zyra tregtare në një nga zonat më të ngarkuara të rajonit të bllokuar të Gazës, raporton Anadolu Agency (AA).
Ndërtesa, e cila gjendet në një nga zonat më të ngarkuara tregtare në lagjen Omar al-Muhtar në pjesën qendrore të Gazës, u godit nga disa raketa nga aeroplanët luftarakë izraelitë.
Ndërtesa është shkatërruar plotësisht si pasojë e sulmit.
Kulla që u godit përmbante apartamente ku banonin civilë dhe zyra të kompanive dhe organizatave mediatike që veprojnë në Gaza.
Raportohet se sulmi gjithashtu shkaktoi një ndërprerje të energjisë në zonat përreth.
Ndryshe, kulla 12-katëshe Hanadi, e banuar nga civilë në lagjen Rimal në perëndim të Gazës, u shkatërrua menjëherë pas sulmeve të Izraelit më 11 maj.
Ndërtesa 9-katëshe Jawhara në qendër të qytetit, ku kishte civilë dhe zyra të ndryshme mediatike, u shënjestrua gjithashtu nga sulmet ajrore izraelite sot pas mesnatës.
Të paktën 56 palestinezë janë vrarë dhe 335 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite në Rripin e Gazës në vazhdën e tensioneve në të gjitha territoret palestineze pasi policia izraelite bastisi Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe sulmoi adhuruesit.
Pesë izraelitë gjithashtu janë vrarë dhe 45 të tjerë janë plagosur në sulmet me raketa nga pala palestineze.
Tensionet janë rritur që nga java e kaluar pasi një gjykatë izraelite urdhëroi dëbimin e familjeve palestineze në lagjen Sheikh Jarrah të Kudsit Lindor. /aa