Forcat izraelite kanë rrënuar dy ndërtesa të palestinezëve në jug të Kudsit Lindor nën pushtim me pretendimin se ishin “pa leje”, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyrtari i Organizatës Çlirimtare të Palestinës, Hasan Berice në një deklaratë për AA tha se forcat izraelite në orët e para të mëngjesit kryen bastisje në zonën Wadi el-Hummus të Kudsit me buldozerët dhe ekipet e bashkisë të lidhur me Izraelin.
Berice tha se forcat izraelite me pretendimin se “janë ndërtuar pa leje” shembën dy ndërtesa njëra tre kate dhe tjetra katër kate.
Organizatat e shoqërisë civile që ndjekin projektet e vendbanimeve në rajon, tërheqin vëmendjen se bashkia e Kudsit e lidhur me Izraelin ka vështirësuar dhënien e lejeve të ndërtimit dhe banesave për shtëpitë që palestinezët ndërtojnë në Kudsin Lindor dhe zonat që ajo kontrollon.
Sipas të dhënave të deklaruara nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, që nga fillimi i këtij viti e deri më 18 tetor, Izraeli ka shembur 698 ndërtesa të palestinezëve në Kudsin Lindor dhe në Zonën C të Bregut Perëndimor nën pushtim. /aa