Izraeli, SHBA-ja dhe Britania e Madhe kryen sot sulmin e tyre të parë të koordinuar ndaj objektivave të grupit Huthi në Jemen, njoftoi Korporata e Transmetimeve Publike të Izraelit, transmeton Anadolu.
Televizioni Al-Masirah i lidhur me Huthit gjithashtu raportoi se një seri sulmesh ajrore synuan afërsinë e sheshit Al-Sabeen në kryeqytetin e Jemenit, Sana.
Sulmi përkoi me një tubim në mbështetje të Palestinës në mes të luftës gjenocidale të vazhdueshme 16-mujore të Izraelit në Gaza. Për më tepër, Huthit raportuan gjashtë sulme ajrore në qytetin port Al-Hudaydah në Jemenin perëndimor.
Nuk u dhanë detaje shtesë mbi ndikimin e sulmeve.
Përshkallëzimi erdhi pasi Huthit thanë të hënën se kishin sulmuar aeroplanmbajtësen amerikane “USS Harry Truman” në veri të Detit të Kuq dhe pretenduan sulme me raketa dhe dronë mbi objektiva në Izraelin jugor dhe qendror.
Huthit kanë vënë në shënjestër Izraelin si dhe anijet të destinuara drejt apo të nisura nga Izraeli në Detin e Kuq, në solidaritet me popullin palestinez në Rripin e Gazës, ku Izraeli ka vrarë më shumë se 46 mijë palestinezë që nga tetori i vitit 2023.
Që nga fillimi i vitit 2024, një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja ka kryer sulme ajrore ndaj Huthive në Jemen në përgjigje të sulmeve të grupit në Detin e Kuq, me hakmarrje të herëpashershme nga Huthit.