Me Donald Trumpin president të Amerikës, Izraeli duket se i ka shpatullat më të ngrohta dhe për të dytën herë që prej ardhjes së tij në pushtet, sfidon rezolutën e OKB-së duke njoftuar planet për ndërtimin e 2.500 banesave të reja në kolonitë izraelite të Bregut Perëndimor.
Ministri i Mbrojtjes, Avigdor Lieberman, dhe kryeministri Benjamin Netanyahu e justifikuan vendimin me nevojën në rritje për godina banimi. Për autoritetet palestineze, planet janë një goditje e re për kthimin e paqes në rajon.
Trump ka treguar se është më dashamirës sesa Obama ndaj aktiviteteve ndërtimore të Izraelit në territoreve palestineze, e zgjodhi një mbështetës të fuqishëm të kolonive si ambasador në Izrael.
Rreth 500 mijë hebrenj jetojnë në vendbanime të ndërtuara në Bregun Perëndimor e Jeruzalemin Lindor, që iu përvetësuan Palestinës në vitin 1967. Vendbanimet konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, edhe pse Izraeli refuzon ta pranojë këtë.
Shumica e banesave të aprovura të martën do të ndërtohen në blloqe ekzistuese koloniale të Bregut Perëndimor. 100 prej tyre do të ngrihen në Beit El, një koloni pranë Ramallahut, që thuhet të ketë siguruar financime nga një fondacion i drejtuar nga familja e dhëndrit dhe këshilltarit të Trumpit, Jared Kushner.
“Ne po ndërtojmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, shkroi Netanyahu në “Twitter”, duke sfiduar hapur komunitetin ndërkombëtar. Kryeministri izraelit diskutoi gjithashtu çështjen e dialogut me Palestinën, në një telefonatë me presidentin amerikan, gjatë së cilës u ftua në një takim në Uashington në fillim të muajit shkurt.