Izraeli rrit praninë ushtarake përgjatë kufirit verior

Izraeli ka bërë të ditur se po rrit numrin e trupave përgjatë kufirit të saj verior, duke krijuar aluzion për një përshkallëzim të mundshëm në Siri ose Liban, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Në përputhje me vlerësimin e situatës nga ushtria, u vendos që të dërgohet një përforcim i caktuar i trupave të këmbësorisë në komandën ushtarake veriore”, tha ushtria izraelite në një deklaratë, pa dhënë detaje të tjera.

Megjithatë, e përditshmja izraelite “The Jerusalem Post” raportoi se vendimi vjen mes “tensioneve të mëdha pas njoftimit të Hezbollahut të Libanit se natën e së hënës një prej anëtarëve të tij është vrarë në një sulm ajror të pretenduar izraelit në Damask”.

Të hënën vonë në mbrëmje, regjimi sirian i Bashar al-Assadit po ashtu tha se 7 ushtarë të tij ishin plagosur në sulmet ajrore izraelite në kryeqytetin sirian.

Sipas agjencisë zyrtare siriane të lajmeve, SANA, mbrojtja ajrore siriane ka kapur raketa të shkrepura nga avionët luftarakë izraelitë nga Lartësitë e pushtuara të Golanit në drejtim të Damaskut jugor.

Izraeli më pas mbylli hapësirën ajrore mbi Lartësitë e pushtuara të Golanit, me mediat lokale që raportuan se kufizimet do të zgjasin deri më 31 korrik.

Që nga fillimi i krizës siriane në vitin 2011, Izraeli ka kryer qindra sulme ajrore kundër objektivave në Siri, përfshirë vendet ushtarake të regjimit të Assad-it dhe grupeve të mbështetura nga Irani.