Forcat izraelite kanë rrënuar tre shtëpi të palestinezëve në afërsi të qytetit El-Halil i cili ndodhet në Bregun e okupuar Perëndimor me pretendimin se janë të palicencuara.
Shtëpitë të cilat gjenden në rajonin Musafir Jata në jug të qyteti El-Halil, u rrënuan me buldozer nën mbikëqyrjen e forcave izraelite pasi që u evakuuan.
Forcat izraelite pohojnë se objektet në fjalë gjenden në rajonin “C” dhe janë ndërtuar pa leje.
Në kuadër të “Marrëveshjes së dytë të Oslos” të nënshkruar mes Palestinës dhe Izraelit në vitin 1995, Bregu Perëndimor ishte ndarë në rajonet A, B dhe C.
“Rajoni A” që përbën 18 për qind të menaxhimit administrativ dhe të sigurisë iu dha Palestinës, “Rajoni B” me 21 për qind të menaxhimit administrativ iu dha Palestinës ndërsa siguria Izraelit.
“Rajoni C” me 61 për qind me “Administratë dhe siguri” iu dha Izraelit. Qeverisja izraelite e bën pothuajse të pamundur që palestinezët të ndërtojnë në rajonin C.
Në Jerusalemin Lindor që gjendet nën okupimin izraelit ka rreth 200 mijë kolonë hebrenjë, ndërsa në Bregun Perëndimor 400 mijë. Komuniteti ndërkombëtar i llogarit si ilegale vendbanimet hebreje që ndodhen në territoret e okupuara nga Izraeli.