Autoritetet izraelite rrënuan sot tri ndërtesa banimi në zonën Silwan në Kudsin Lindor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Fakhri Abu Diab, njëri prej pronarëve, tha se autoritetet izraelite e arsyetuan veprimin me mungesë të një lejeje ndërtimi.
Ai tha se tri ndërtesat e rrënuara përmbanin tetë apartamente banimi në lagjen Al-Bustan në Silwan.
“Lagja jonë është në shënjestër të pushtimit izraelit për të ndërtuar një projekt hebre mbi rrënojat e shtëpive tona dhe për të zhvendosur palestinezët nga Kudsi Lindor”, shtoi ai.
“Izraeli po shfrytëzon vëmendjen globale me zgjedhjet presidenciale të SHBA-së dhe agresionet ndaj Gazës dhe Libanit për të zbatuar planet e tij për hebraizimin e Kudsit”, tha Abu Diab.
Palestinezi tha se ai e rindërtoi shtëpinë e tij pasi ishte shkatërrua nga autoritetet izraelite në shkurt të këtij viti.
“Dhjetëra shtëpi të banuara nga rreth 1.550 palestinezë në lagjen Al-Bustan kërcënohen me prishje nga autoritetet izraelite”, paralajmëroi ai.
Dhjetëra shtëpi palestineze shkatërrohen çdo vit nga autoritetet izraelite në Kudsin Lindor të pushtuar dhe Bregun Perëndimor, veçanërisht në zonat e klasifikuara nga Izraeli si Zona C.
Sipas Marrëveshjes së Oslos të vitit 1995 midis Izraelit dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), Bregu Perëndimor, duke përfshirë Kudsin Lindor, u nda në tri pjesë: Zona A, B dhe C.
Palestinezët këmbëngulin se Kudsi Lindor është kryeqyteti i shtetit të tyre të ardhshëm palestinez, ndërsa Izraeli pohon se Kudsi, në tërësinë e tij – si në sektorin lindor ashtu edhe atë perëndimor – është kryeqyteti i tij.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Ai aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, hap ky që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.