Të paktën 404 palestinezë janë vrarë dhe 562 të tjerë janë plagosur në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës të martën, duke shënuar fundin e një armëpushimi që kishte zgjatur gati dy muaj, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë në Gaza.
“Shumë viktima ndodhen ende nën rrënoja dhe përpjekjet për t’i nxjerrë po vazhdojnë,” tha ministria në një deklaratë.
Sulmet e ushtrisë izraelite, më të mëdhatë që nga fillimi i armëpushimit me Hamasin më 19 janar, kanë lënë të shkatërruar zona të mëdha të enklavës palestineze.
Zyra e Mediave e Qeverisë së Gazës deklaroi se familje të tëra janë shfarosur nga sulmet, ndërsa ambulancat dhe ekipet e mbrojtjes civile nuk janë në gjendje të transportojnë të gjithë të plagosurit në spitale për shkak të vazhdimit të bombardimeve dhe shkatërrimeve masive.
“Këto masakra brutale konfirmojnë edhe një herë se ushtria pushtuese izraelite njeh vetëm gjuhën e vrasjeve, shkatërrimit dhe gjenocidit,” thuhet në deklaratë.
Kriza humanitare përkeqësohet
Zyra e Mediave shtoi se sulmet e rinisura po ndodhin në mes të një bllokade të ashpër dhe mbylljes së plotë të kalimeve kufitare, duke përkeqësuar krizën humanitare dhe duke privuar mbi 2.4 milionë palestinezë nga nevojat më bazike për mbijetesë.
Organizatat ndërkombëtare dhe Kombet e Bashkuara janë thirrur të ndërhyjnë për të ndaluar masakrat dhe për të garantuar mbrojtjen e civilëve në Gaza.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite ka deklaruar se sulmet e saj kishin në shënjestër objektiva të Hamasit për të arritur objektivat e luftës, përfshirë lirimin e të gjithë pengjeve izraelite, të gjallë dhe të vdekur.
Hamas: Izraeli theu marrëveshjen e armëpushimit
Grupi Hamas akuzoi Izraelin për prishjen e marrëveshjes së armëpushimit dhe tha se qeveria izraelite ka shpallur luftë të re kundër Gazës.
“Kërkojmë që ndërmjetësuesit të mbajnë përgjegjës (Kryeministrin izraelit Benjamin) Netanyahun dhe regjimin sionist për këtë shkelje flagrante të marrëveshjes,” thuhet në deklaratën e Hamasit.
Gjatë armëpushimit, autoritetet në Gaza kishin raportuar për shkelje pothuajse të përditshme nga ushtria izraelite.
Akuzat ndërkombëtare kundër Izraelit
Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite kanë vrarë më shumë se 48,500 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, duke shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës në Gaza.
Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste në nëntor të vitit të kaluar për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli po përballet gjithashtu me një proces për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me luftën e tij kundër enklavës palestineze.