Izraeli raporton sulm të ri raketor nga Jemeni

Ushtria izraelite pretendon se ka interceptuar një raketë të lançuar nga Jemeni, duke regjistruar sulmin e tretë nga grupi Huthi brenda një jave, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të ushtrisë thuhet se sirenat për sulmet ajrore u aktivizuan në Izraelin qendror, përfshirë Tel Avivin, pas një rakete të lançuar nga Jemeni.

Ushtria njoftoi se raketa u rrëzua para se të hynte në hapësirën ajrore izraelite nga sistemi i mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë “Arrow” (Shigjeta).

Sipas publikuesit publik izraelit KAN, “miliona izraelitë” shpejtuan drejt strehimoreve pasi u aktivizuan sirenat e sulmit ajror. Një grua izraelite u plagos rëndë ndërsa vraponte drejt një strehimoreje, tha KAN.

Ndërkohë, nuk kishte asnjë koment nga grupi Huthi mbi pretendimin izraelit.

Dje, grupi jemenas tha se lëshoi ​​dy dronë luftarake drejt objektivave ushtarake në Jaffa dhe Ashkelon në Izrael.

Sulmi erdhi dy ditë pasi të paktën 20 izraelitë u plagosën të shtunën kur një raketë e lëshuar nga Jemeni ra në zonën Tel Aviv-Jaffa në Izraelin qendror.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua të dielën se do të veprojë kundër grupit Huthi në Jemen.

Sipas mediave izraelite, grupi Huthi ka lëshuar mbi 200 raketa balistike dhe 170 dronë ndaj objektivave izraelite që nga shpërthimi i luftës në Gaza tetorin e kaluar.

Grupi Huthi ka vënë në shënjestër anijet izraelite të ngarkesave ose ato të lidhura me Tel Avivin në Detin e Kuq me raketa dhe dronë, në shenjë mbështetjeje me Rripin e Gazës, ku mbi 45.300 palestinezë janë vrarë në luftën gjenocidale të Izraelit që nga 7 tetori 2023.