Iz’raeli pretendon se ka bo’mbarduar rrugët e transportit të ar’mëve nga Siria për He’zbollahun

Ushtria izraelite njoftoi se avionët e saj luftarakë sulmuan dje rrugët në kufirin Siri-Liban, të cilat sipas saj, janë përdorur për të transportuar armë dhe municione nga regjimi i Bashar al-Asadit për Hezbollahun, transmeton Anadolu.

Në deklaratën e ushtrisë izraelite thuhet se avionët luftarakë bombarduan rrugët e transportit të armëve dhe municioneve të regjimit në kufirin Siri-Liban. Ushtria izraelite ka kryer shumë sulme gjatë muajve të fundit për të parandaluar transferimin e armëve nga Irani tek Hezbollahu përmes Sirisë.

Ushtria izraelite tha se bombardimi i këtyre rrugëve ishte goditje tjetër për “Njësitin 4400”, i cili është përgjegjëse për transportin e materialeve luftarake nga Irani përmes Sirisë tek Hezbollahu në Liban.

Dje, një sulm ajror është kryer nga avionë luftarakë të paidentifikuar në pika të shumta në lagjen Qusayr të provincës Homs në pjesën qendrore të Sirisë.

Thuhet se Ura e Def-it e shënjestruar gjithashtu, e vendosur në lumin Orontes, përdoret nga Hezbollahu për transportin ushtarak dhe logjistik midis Qusayrit dhe veriut të Libanit.

Agjencia e regjimit të Asadit, SANA, raporton se forcat izraelite shënjestruan Qusayr dhe se sistemet e mbrojtjes ajrore të ushtrisë siriane iu përgjigjën “objektivave armiqësore”.

Hezbollahu dhe grupet e mbështetura nga Irani kanë prani të madhe në provincën Homs.

Izraeli ka kryer sulme të herëpashershme ndaj grupeve të mbështetura nga Irani dhe pikave ushtarake që i përkasin ushtrisë siriane në Siri që nga fillimi i luftës civile në vitin 2011.