Koordinatori special i Kombeve të Bashkuara për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, Nikolay Mladenov, tha se Izraeli duke mos respektuar rezolutën e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) vazhdon aktivitetet e ndërtimit për njësitë e vendbanimeve në territoret palestineze nën okupim, raporton Anadolu Agency (AA).
KS-OKB ka diskutuar rreth zbatueshmërisë së rezolutës numër 2334 të pranuar në muajin dhjetor me abstenimin e SHBA-ve.
Në një konferencë në emër të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-ve, Mladev duke vënë në dukje vendimin me numër 2334 tha se “Rezoluta e KS-OKB-së kërkonte nga Izraeli që të ndalonte të gjitha aktivitetet e njësive të vendbanimit në territoret palestineze që ndodhen nën okupim. Pavarësisht këtij vendimi nuk është hedhur asnjë hap dhe është marrë edhe një vendim për ndërtimin edhe të dy vendbanimeve të tjera.”
Duke theksuar se janë të jashtëligjshme vendbanimet izraelite, Mladenov është shprehur se “OKB i pranon të jashtëligjshme të gjitha veprimet për ndërtimin e njësive të vendbanimeve në territoret nën okupimin e Izraelit dhe i pranon si një prej pengesave më të rëndësishme përpara paqes.”
“Është shqetësuese jashtëmase përshpejtimi i ndërtimit të vendbanimeve ilegale të Izraelit në muajin janar. Përshpejtimi i shembjeve të pronave palestineze nga Izraeli, nxjerrja e lejeve të reja për njësitë e vendbanimeve, përgatitja e planeve dhe kryerja e shkeljeve janë një tregues i qartë se do të vazhdojnë politikat për ndërtimin e njësive të vendbanimeve të reja”, ka theksuar Mladenov duke u shprehur se është shqetësues moszbatimi i vendimeve të KS-OKB-së nga Izraeli.
Ndër të tjera Mladenov ka vënë në dukje se Izraeli vazhdon shembjen e ndërtesave të palestinezëve sepse “nuk kanë leje e cila është pothuajse e pamundur të merret” dhe se nga këto shembje preken mijëra persona.
“Izraeli nuk është mbi ligjin ndërkombëtar”
Edhe vëzhguesi i përhershëm i Palestinës në Kombet e Bashkuara, Riyad Mansur në një deklaratë për gazetarët në dalje të sallës së KS-OKB tha se Izraeli nuk zbaton vendimet e KS-OKB gjë e cila është përcaktuar edhe me raportet e OKB-së.
Duke theksuar se të gjithë vendet kanë detyrim që nën ligjin ndërkombëtar të zbatojnë vendimet e KS-OKB-së, Masur tha se “Izraeli nuk është mbi ligjin ndërkombëtar. Nuk mund të përjashtohet nga asnjë vendim(rezolutë) i KS-OKB-së.”