Ushtria izraelite ka deklaruar se ka përfunduar ndërtimin e të ashtuquajturit “Korridori Morag”, një rrugë ushtarake që ndan qytetin jugor të Rafahut nga pjesa tjetër e Rripit të Gazës.
Sipas autoriteteve izraelite, ky korridor ka qëllim operativ për të kufizuar lëvizjet e Hamasit. Megjithatë, ekspertët thonë se ky është pjesë e një strategjie afatgjatë për të kontrolluar Gazën nga distanca. Robert Geist Pinfold, pedagog i sigurisë ndërkombëtare në King’s College në Londër, tha për Al Jazeera:
“Nga njëra anë, kjo është si një rrethim klasik mesjetar, por në vitin 2025. Nga ana tjetër, ekziston një logjikë strategjike më shqetësuese në planin afatgjatë. Izraeli gjithmonë ka kërkuar të kontrollojë Gazën, veçanërisht hyrje-daljet dhe atë që e quan ‘siguri’ mbi territorin.”
Ai shtoi se korridoret Morag, Netzarim dhe Filadelfi janë emërtuar sipas vendbanimeve izraelite që dikur ndodheshin në këto zona, dhe se këto vendbanime nuk ishin vendosur rastësisht, por pikërisht për këtë funksion: për të ndarë zonat urbane të Gazës dhe për t’i dhënë Izraelit mundësinë ta “shtrëngojë” territorin sipas nevojës apo dëshirës.