Izraeli miratoi marrëveshje të madhe për të blerë armë amerikane

Izraeli miratoi një plan miliarda dollarësh për të rritur forcat e tij ajrore me aeroplanë luftarakë të SHBA-së dhe pajisje të përparuara ushtarake, transmeton Anadolu Agency (AA).

Media shtetërore KAN TV njoftoi se pas një takimi të kabinetit që zgjati shtatë orë, e ku mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Benny Gantz, u mor vendimi për të cilin kishte pasur mosmarrëveshje për tre vite.

Në raportim thuhet se marrëveshja 9 miliardë dollarëshe përfshin blerjen e helikopterëve Chinook, aeroplanëve luftarakë F-35 dhe F-16, bomba, armë të avancuara dhe tankerë ajrorë të karburantit.

Siç bëhet e ditur në raportim, Ministria e Financave kundërshtoi marrëveshjen pasi Tel Avivi zyrtar do të duhej të merrte hua nga bankat amerikane për të financuar planin dhe kjo do të nënkuptojë një ulje të mbështetjes vjetore nga Washingtoni.

SHBA, që është mbështetësi më i madh ushtarak i Izraelit, në vitin 2018 njoftoi se do të sigurojë 38 miliard dollarë ndihmë ushtarake për tel Avivin zyrtar gjatë 10 vjetëve.