“Izraeli me pretekstin e normalizimit, dëshiron t‘i përdorë vendet arabe për interesat e tij”

Ish-lideri i byrosë politike të Hamas-it, Khaled Mashal, tha se Izraeli me pretekstin e normalizimit, dëshiron t’i përdorë vendet arabe për interesat e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në seminarin me temë Bota Islame dhe Pritshmëritë e të Ardhmes të zhvilluar online nga Qendra e Kërkimeve Politike për Liritë, Mashal tha se “Bota arabe ndodhet përballë dy kërcënimeve, njëra forcat koloniale të përfaqësuara nga SHBA dhe e dyta kërcënimi sionist që ka rrënjët dhe strategjinë e tij”.

Normalizimi i Izraelit me vendet arabe nuk është një hap i përkohshëm, por një pjesë e strategjisë të qeverisë së Tel Avivit deklaroi Masahl, duke tërhequr vëmendjen se prania sioniste në zemër të botës arabe kërcënon unitetin dhe ekzistencën arabe.

“Izraeli dëshiron të integrohet në rajon me rrugën e normalizimit dhe veten e tij e tregon si aleat i shteteve arabe. Por vendet arabe dëshiron t’i përdorë për interesat e tij dhe jo si aleatë”, tha Mashal.

Duke tërhequr vëmendjen mbi rëndësinë për formimin e një bashkëpunimi dhe koordinimi të fortë në dy çështje mes përbërësve të botës islame, Mashal i renditi këto çështje si përpjekja për të kapërcyer të gjitha dallimet etnike dhe sektare si dhe përpjekjen për t’u zhvilluar teknikisht.

– Marrëveshja për normalizim mes EBA-së dhe Izraelit

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, më 13 gusht njoftoi se Izraeli dhe EBA kanë arritur një marrëveshje për të “normalizuar plotësisht marrëdhëniet”.

Ndërkaq, në lajmin e agjencisë zyrtare WAM të EBA-së thuhej se dy vendet janë dakorduar për “përcaktimin e një udhërrëfimi të përbashkët” për ndërtimin e marrëdhënieve dhe se zyrtarët e të dyja vendeve do të nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe në fusha të ndryshme në takimet në javët e ardhshme.

Vendet anëtare të Ligës Arabe, me deklaratën e Nismës Arabe për Paqe që pranuan në kryeqytetin Bejrut të Libanit në vitin 2002, refuzuan të normalizonin marrëdhëniet me Izraelin për sa kohë që ai nuk pranon shtetin e pavarur të Palestinës me kufijtë e vitit 1967 dhe me kryeqytet Kudsin Lindor.

EBA, pas Egjiptit në vitin 1979 dhe Jordanisë në vitin 1994, është vendi i tretë arab që nënshkruan marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.