Iz’raeli lëshon ultimatum ikje ose vde’kjeje për banorët e Ga’zës veriore

Ushtria izraelite ka lëshuar një ultimatum të ri për dhjetëra mijëra palestinezë në disa zona në veri të Gazës, të cilët nuk kanë ku të shkojnë, duke i urdhëruar ata të ikin përpara një pushtimi të mundshëm ushtarak.

Deklarata ushtarake urdhëroi palestinezët të iknin drejt “strehimeve” në qytetin perëndimor të Gazës, duke pretenduar se kjo është një “zonë e sigurt”.

Në një deklaratë, ushtria izraelite tha: “Të gjithë të pranishmit në 10 lagjet dhe zonat e Al-Salateen, Al-Atatra, Al-Seifa, Al-Karama dhe Al-Ghabn (në veriperëndim të Gazës) duhet të evakuohen”.

Njoftimi shtoi se ushtria do të “operojë me forcë” kundër grupeve të rezistencës palestineze atje.

Më vonë, pesë palestinezë u vranë në granatimet e artilerisë izraelite që synonin zonat e Beit Lahia, Al-Salateen dhe Ezbet Abed Rabbo, tha një burim mjekësor për Anadolu.

Burimi shtoi se trupi i një gruaje palestineze u gjet, së bashku me disa të plagosur, pas një sulmi artilerie izraelite pranë portës së shkollës Al-Sheema në veri të Gazës.

Disa herë gjatë luftës 10-mujore në Gaza, Izraeli kishte urdhëruar evakuime masive në zona të sigurta.

Grupet e të drejtave të njeriut dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë dënuar çnjerëzimin e urdhrave dhe vuajtjet masive të shkaktuara si pasojë. Përveç kësaj, palestinezët janë gjetur shpesh të sulmuar nga Izraeli gjatë rrugës për në “zona të tilla të sigurta” si dhe pasi kanë arritur në zona të tilla.