Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thuhet se ka lëshuar një urdhër për përfaqësuesin e përhershëm të Izraelit në Organizatën e OKB-së për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), se vendi do të largohet nga kjo organizatë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas gazetës izraelite “Yedioth Ahronoth”, Netanyahu ka urdhëruar Carmel Shami Hacohen, përfaqësuesin e përhershëm të Izraelit, që edhe zyrtarisht të kumtojë se Izraeli vitin e ardhshëm do të largohet nga UNECSO.
UNESCO në tetor të vitit 2016 kishte deklaruar se Al-Aksa nuk kishte të bënte asgjë me judaizmin.
Në tetor të këtij viti, Netanyahu urdhëroi Ministrinë e Jashtme izraelite të fillonte përgatitjet për largimin e Izraelit nga UNESCO.
Po ashtu edhe SHBA-të këtë vit paralajmëruan se do të tërhiqen nga UNESCO deri në fund të vitit 2018 për shkak të nevojës për reforma dhe disponimit anti-izraelit.
Netanyahu vendimin e SHBA-së për largimin nga UNESCO e quajti “të guximshëm dhe moral” dhe disa orë pas paralajmërimit të SHBA-së, e bëri të njëjtën.