Tërheqja e ShBA-ve nga Siria është kundërmuar edhe nga Izraeli, që shqetësohet se ajo do t’i mundësonte Iranit konsolidimin e pranisë ushtarake aty si dhe do të paraqiste rrezik për sigurinë e tij.
Edhe Uashingtoni mbetet vazhdimisht i shqetësuar për sjelljen e Iranit në rajon, i cili ka njoftuar së fundi lëshimin e tre raketave, që dyshohet se janë ndërtuar me teknologji balistike.
Për të diskutuar tërheqjen e trupave amerikane nga Siria dhe për të siguruar aleatët, këshilltari për sigurinë kombëtare i Shteteve të Bashkuara, John Bolton, njoftoi se do të vizitojë Izraelin dhe Turqinë.
Më herët në Uashington, këshilltarët kryesorë të Presidentit, Donald Trump, u takuan të enjten në Pentagon për të diskutuar mbi Sirinë dhe tema të tjera. Sipas një zyrtari të mbrojtjes takimi ishte i pari i këtij lloji për Sekretarin e ri të Mbrojtjes, Patrick Shanahan, i cili e mori detyrën më 1 janar pas dorëheqjes së Jim Mattis-it.
Sipas një zyrtari të lartë të mbrojtjes, Shanahan u takua me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare John Bolton, sekretarin e Shtetit Mike Pompeo dhe kreun e Shefave të Përbashkët të Shtabit, gjeneralin Joe Dunford.
Mattis dha dorëheqje muajin e kaluar pasi Presidenti Trump urdhëroi tërheqjen e trupave amerikane nga Siria. Ndërkohë që Shteti Islamik ka ende mijëra luftëtarë aktivë, analistët mendojnë se tërheqja e ShBA-së do t’i linte të ekspozuar luftëtarët kurdë ndaj sulmeve të Turqisë.